Lidhje

Kalendari Historik 28 prill - 2003-04-28


Më 28 prill të vitit 1967, kur Lufta e Vietnamit ishte në kulmin e saj, kampioni i peshës së rëndë të boksit, Muhammad Ali refuzoi të kryente shërbimin në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Boksieri i famshën kërkoi përjashtimin e tij nga radhët e ushtrisë për arsye fetare. Por zyrtarët e hodhën poshtë pretendimin e tij se ai ishte klerik i fesë islamike. Muhamed Ali, i cili kishte lindur në një familje të krishterë me emrin Cassius Clay, e bëri të njohur konvertimin e tij në fenë islamike pasi fitoi titullin e kampionit të boksit për peshat e rënda në shkurt të vitit 1964. Ai tha se nuk pranonte të mbante emrin, sipas fjalëve të tij “prej skllavi” dhe se do ta ndërronte atë në Muhamed Ali. Gjatë Luftës së Vietnamit, Muhamed Ali u shpreh se, sipas fjalëve të tij, “nuk ushqente armiqësi për Vietkongun”. Atë e akuzuan për këto komente se thjesht po përpiqej t’i shmangej shërbimit në ushtri. Muhamed Ali u shpall fajtor ngaqë kishte refuzuar të kryente shërbimin ushtarak dhe për këtë ai u dënua me 5 vjet burgim. Por ai nuk u fut në burg gjatë kohës që avokatët e tij e kishin apeluar çështjen. Në qershor të vitit 1970 Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori vendim në favor të Muhamed Aliut, duke thënë se çështja e tij nuk ishte trajtuar siç duhet.

Marrëveshja e Paqes që i dha fund zyrtarisht Luftës së Dytë Botërore në vendet e Paqësorit, hyri në fuqi në orën 13 e 30 minuta sipas Grinuiçit, më 28 prill të vitit 1952. Kjo marrëveshje i dha fund zyrtarisht pushtimit të Japonisë nga Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja hyri në fuqi kur kopja amerikane e dokumentit të ratifikuar u depozitua në arkivat e Departamentit Amerikan të Shtetit nga Sekretari i Shtetit i asaj kohe, Dean Acheson. Sekretari Acheson dhe i ngarkuari me punë i Japonisë në Washington shkëmbyen gjithashtu dokumentet e paqes. Presidenti Harry Truman bëri një deklaratë me shkrim, me anën e së cilës e vlerësonte lart përparimin e Japonisë që nga koha e përfundimit të konfliktit ushtarak të vitit 1945. Ai tha se japonezët kanë punuar për ndërtimin e demokracisë dhe një kombi paqedashës me sinqeritet dhe seriozitet të tillë, që i ka siguruar Japonisë respektin e mbarë botës.

XS
SM
MD
LG