Lidhje

Një qeveri fetare e zgjedhur në mënyrë demokratike në Irak - 2003-05-04


Demonstratat e kohëve të fundit në Irak, që bëjnë thirje për vendosjen e një shteti islamik, kanë sjellë shqetësime në radhët e disa zyrtarëve dhe vëzhguesve në Washington lidhur me mundësinë e një teokracie të stilit iranian.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld tha muajin e kaluar në Pentagon se nuk do të lejohet krijimi i një qeverie të stilit iranian në Irak:

"Një pakicë që ngre zërin për ta transformuar Irakun në shëmbëlltyrë të Iranit nuk do të lejohet ta bëjë një gjë të tillë. Nuk do të lejojmë që tranzicioni demokratik i popullit irakian të sabotohet nga ata që mund të duan të vendosin një formë tjetër diktature."

Por mundësia që një qeveri fetare me bazë në shumicën shiite të zgjidhet e ka ndezur debatin në Washington. Sekretari i Shtetit Colin Powell kohët e fundit u shpreh se një qeveri islamike mund të jetë njëkohësisht një qeveri demokratike.

Ish-ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Richard Perle, i cili aktualisht është pjesëtar i një grupi këshilltar me ndikim në Pentagon, tha në një emision të rrjetit televiziv C-B-S se Shtetet e Bashkuara do të duhet të pranojnë një qeveri fetare që zgjidhet në mënyrë demokratike:

"Nëse dëshirojmë një qeveri demokratike në Irak, gjë që mendoj se duhet ta mbështesim, atëherë duhet të pranojmë pasojat që do të ketë zgjedhja e lirë e udhëheqësve nga irakianët. Këtu qëndron ligjshmëria, jo në ndonjë formë burokracie nga New Yorku apo diku tjetër, por në atë që vetë populli irakian dëshiron për vete."

Zoti Perle tha se zyrtarët amerikanë duhet të përpiqen të fuqizojnë forcat demokratike në Irak për të parandaluar vendosjen e një diktature fetare. Por ai tha se një qeveri me bazë fetare në Irak nuk do të ishte detyrimisht esktremiste apo anti-demokratike.

"Mendoj se irakianët do të preferonin një shtet në të cilin njerëzit të gëzojnë liri të vërteta individuale, në të cilin të mos shtypen nga forma ekstreme e mendimit islam. Mendoj se pjesa më e madhe e irakianëve shpresojnë se do të ndërtohet një demokraci e vërtetë, në të cilën i gjithë populli i Irakut të ketë mundësi të ushtrojë lirisht besimin e tij dhe të jetojë në liri të vërtetë."

Senatori Joseph Lieberman nga New Jersey pohon se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me irakianët për të bërë të mundur vendosjen e një qeverie demokratike. Senatori, i cili do të konkurojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004, foli kohët e fundit në një emisionit të rrjetit televiziv C-B-S.

"Nuk duam që kjo të çojë në teokraci. Në disa drejtime, myslimanët shiitë, për shembull, kurrë nuk gëzuan lirinë e besimit nën Sadam Huseinin. Mendoj se tani duhet t’i ndihmojmë të ndërtojnë një vend, në të cilin të gjitha format e fesë islame, të gjitha format e besimit të respektohen. Kjo është sfida që kemi përpara. Por kjo sfidë, mendoj unë, do të përkrahet nga pjesa më e madhe e irakianëve, dhe atyre vetë u takon marrja e këtij vendimi."

Në përgjithësi, zyrtarët dhe analistët amerikanë përputhen në qëndrimin e tyre kundër vendosjes së një diktature fetare në Irak. Megjithatë, debati vazhdon lidhur me çështjen nëse një qeveri fetare e zgjedhur në mënyrë demokratike do të ishte e pranueshme për Shtetet e Bashkuara.

//ze//

XS
SM
MD
LG