Lidhje

Përkujtohen gazetarët e vrarë në krye të detyrës - 2003-05-07


Jo larg Varrezave Kombëtare në Arlington të shtetit Virxhinia, ku prehen eshtrat e mijëra ushtarëve dhe udhëheqësve amerikanë, ngrihet një tjetër përkujtimore për gazetarët e vrarë në detyrë. Përkujtimorja e Gazetarëve u hap në vitin 1996 dhe kishte mbi të emrat e 934 gazetarëve nga mbarë bota, të cilët vdiqën në periudhën 1812 - 1995. Që atëherë në përkujtimore janë shtuar emra të rinj në çdo maj për të nderuar ata që u vranë një viti më parë.

Këtë vit leximi i emrave të gazetarëve të vrarë u përcoll me tingujt e kambanave. Një listë emrash të gdhendur në një përkujtimore prej qelqi nderon kujtimin e gazetarëve të vrarë në luftra të mëdha ndërkombëtare si dhe të atyre të vrarë në incidente jo shumë të dëgjuara në qytete të vogla amerikane. Joe Urschel, Drejtor i Muzeumit për Shtypin, Newseum, vë në dukje se shumë gazetarë vënë jetën e tyre në rrezik thjesht për të përmbushur misionin e tyre:

“Gazetari i agjencisë Reuters Kurt Schork pat thënë “Raportimi mbi luftën është punë, jo kryqëzatë e shenjtë. Synimi është të përmbushësh detyrën pa u vrarë. Kur kjo bëhet e pamundur, duhet të tërhiqesh. Por shpesh është e pamundur të parashikosh kur vjen ky moment,” thotë zoti Urschel.

Megjithëse pjesa më e madhe e vizitorëve vijnë për të parë përkujtimoren në ditën kur shtohen emrat e rënëve, shpesh familjet dhe miqtë e gazetarëve vijnë këtu për të reflektuar. Vizitorët lënë lule dhe objekte të tjera pranë përkujtimores.

Zoti Urschel thotë se gazetarët e vrarë këtë vit po mbulonin ngjarje që kishin lidhje me veprimtaritë terroriste, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001:

“Larry Green i kanalit KCBS në Los Anxheles po xhironte në Gjirin Persik me rastin e 1 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, kur helikopteri ushtarak me të cilin ai udhëtonte u rrëzua në Detin Arabik,” thotë zoti Urschel.

Një gazetar tërhoqi vëmendje të veçantë për punën e tij për të ekspozuar terrorizmin. Korrespondenti i gazetës Wall Street Journal, Daniel Perl shkoi në Pakistan për të raportuar mbi lidhjet ndërmjet ekstremistëve islamikë dhe terrorizmit ndërkombëtar, kur u rrëmbye dhe u vra. Babai i tij, Judea, tha se djali i tij, korrespondenti i Wall Street Journal, përfaqësonte shumë grupe njerëzish: “Nëse je amerikan, vrasja e tij goditi edhe lirinë dhe vlerat e tua. Nëse je gazetar, atë natë të tmerrshme në Karaçi u lidhën edhe duart e tua. Nëse je një mysliman, që përpiqet t’u hapë mundësi të reja bashkëatdhetarëve të tij, atë natë koka yte u vu nën grykën e armës. Nëse je hebre, zëri yt u ndërthur me zërin e paraardhësve të tu në atë pohim të pakrahasueshëm identiteti. Nëse je një njeri i ndershëm kudo në botë, atë ditë ndershmëria jote u dhunua,” tha zoti Judea Pearl.

Vdekja e 22 vjeçares Jennifer Hinderliter nuk bëri aq bujë sa vrasja e Daniel Perlit. Ajo ishte korrespodente e stacionit KRTV në Great Falls të shtetit Montana, kur vdiq me kameramanin e saj pasi makina e tyre u përplas gjatë një stuhie. Ata kishin shkuar të raportonin nga një zonë dimërore pushimesh.

Familjet e gazetarëve që vdiqën në krye të detyrës thonë se shpresojnë që përkujtimorja dhe emrat e renditur mbi të do të shërbejnë si frymëzim për gazetarët në të ardhmen.

Në muajin maj të çdo viti në përkujtimore shtohen emrat e gazetarëve të rënë gjatë vitit të mëparshëm. //ad//

XS
SM
MD
LG