Lidhje

Arrestime në Liban - 2003-05-15


Ushtria libaneze tha se ka arrestuar persona që dyshohen si anëtarë të një celule terroriste, për të cilën thuhet se po planifikonte sulme kundër ambasadës amerikane dhe objekteve të tjera perëndimore në Liban.

Ushtria libeze thotë se të arrestuarit po planifikonin të sulmonin ambasadën e një vendi të madh perëndimor, si edhe qendra ushtarake e të sigurimit në Liban.

Zyrtarë libanezë të zbulimit ushtarak vërtetuan më pas se objektivi i sulmit ishte ambasada amerikane, e cila ndodhet në një kompleks të fortifikuar në periferi të Bejrutit. Zyrtarë të ambasadës amerikane në Bejrut nuk bënë ndonjë koment rreth arrestimeve.

Në një deklaratë të ushtrisë libaneze thuhet se grupi kishte planifikuar të rrëmbente anëtarë të kabinetit libanez me qëllim që t’i përdornin si peshë në negociatat për lirimin e shokëve të tyre, të ndalur pas një kryengritjeje nga myslimanë suni në qytetin verior Dunijeh, më shumë se dy vjet më parë.

Këto zhvillime ndodhin vetëm një ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëroi dje se organizata terroriste të lidhura me rrjetin al-Qaida mund të kryejnë sulme në Malajzi dhe në Kenia. Qeveria britanike njoftoi sot se duke filluar nga sot po pezullon fluturimet ajrore midis Britanisë dhe Kenias për shkak të kërcënimeve terroriste.

Ndërkohë, një ekip i FBI-së pritet të mbërrijë sot në Riad për të ndihmuar në procesin hetimor rreth shpërthimeve të ditës së hënë, që sipas zyrtarëve sauditë kanë lidhje me al-Kaidën. Shpërthimet shkaktuan vdekjen e 34 vetave, përfshirë 7 amerikanë.

XS
SM
MD
LG