Lidhje

Presidenti Bush bën të ditur zyrtarisht se do të konkurrojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 - 2003-05-18


Këtë javë, presidenti Bush nisi dokumentet, që bëjnë të ditur zyrtarisht se ai do të konkurrojë për t’u rizgjedhur në postin e presidentit, në zgjedhjet e vitit 2004.

Dërgimi i dokumenteve Komisionit Federal të Zgjedhjeve e lejon ekipin e fushatës të presidentit që të fillojë të punësojë personel e të mbledhë fonde për garën e vitit të ardhshëm.

Presidenti Bush ka zgjedhur tashmë disa zyrtarë kryesorë për fushatën e tij për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë, duke përfshirë drejtuesin e fushatës dhe kryetarin e sektorit të financave.

Përsa i përket njoftimit nga ana e presidentit lidhur me kandidaturën e tij, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, thotë se një hap i tillë nuk do të vonojë.

Dje, i pyetur lidhur me fillimin zyrtar të fushatës së tij, presidenti Bush tha se po përqendrohet gjithnjë e më shumë në problemin e ekonomisë:

“Populli amerikan do të vendosë në se unë e meritoj apo jo një mandat të dytë. Ndërkohë sot unë e kam përqendruar vëmendjen për të ndihmuar njerëzit që të gjejnë punë. Kjo është çështja me të cilën do të merrem tash për tash. Unë dua që ekonomia jonë të jetë e shëndetshme dhe e fortë, në mënyrë që bashkatdhetarët tanë, të mos mbeten pa punë.”

Shtëpia e Bardhë shpreson t’i mbajë amerikanët të përqendruar në rolin popullor të presidentit si kryekomandant në luftën kundër terrorizmit. Nëntë rivalë nga Partia Demokrate shpresojnë të fitojnë ndaj zotit Bush duke e vënë theksin në vështirësitë ekonomike të vendit.

//ze//

XS
SM
MD
LG