Lidhje

Sëmundje të tjera ngjitëse përveç SARS-it, mund të godasin njerëzimin - 2003-05-20


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se Sarsi është vetëm njëra ndër shumë sëmundje ngjitëse që eskpertët presin të shohë njerëzimi gjatë këtij shekulli. Zyrtarët e organizatës thonë se janë sidomos të shqetësuar për llojet e shumta të gripit që mund të lindin në të ardhmen.

Shefi i programeve të sëmundjeve ngjitëse pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, David Heymann, thotë se organizata nuk ka dyshim që herët apo vonë, bota do të goditet nga sëmundje të tjera të panjohura më parë të cilat përbëjnë kërcënim për jetën. Ai shpjegon se një nga shqetësimet më të mëdha është gripi.

“Ky ishte pikërisht shqetësimi kur shpërtheu epidemia e sarsit, kur ne pamë një sëmundje të panjohur të rrugëve të frymëmarrjes që po përhapej midis personelit mjeksor dhe së cilës ne nuk ia dinim shkakun. Një nga shqetësimet ishte se mund të kishim të bënim me një formë gripi. Në të ardhmen do të ketë shpërthime të tjera sëmundjesh si sarsi, do të ketë sëmundje që përhapen në shkallë ndërkombëtare. Ne jemi poyjuiajse të sigurt se gripi, do të shfaqet në formë epidemie globale ashtu siç ka ndodhur tri herë gjatë këtij shekulli. Shumë sëmundje të tjera, të cilat ne as që i njohim, siç ishte sida para 20 vjetësh, mund të shfaqen dhe mund të kthehen në sëmundje të tjera të përhapura në popullsitë e ndryshme, duke mos na u ndarë kurrë”, thotë zoti Heyman. Ai shton se, ndryshe nga Sarsi, gripi është një sëmundje që përhapet me rrugë ajrore dhe që karakterizohet nga shkallë e lartë vdekshmërie. Nga një epidemi gripi në fillim të shekullit të 20, humbën jetën rreth 20 milion njerëz.

Sarsi, nga ana e tij, përhapet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me një person të prekur dhe, ndonëse mund të jetë vdekjeprurës, 85 % e viktimave shërohen.

Virologu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Karl Stohr, thotë se bota duhet të bëjë më shumë për të pëballuar një shpërthim të mundshëm të gripit. Ai shpjegon se në radhë të parë, sistemet shëndetësore qeveritare duhet të forcojnë vëzhgimin e sëmundjeve ngjitëse. “Është e nevojshme të kuptojmë me shpejtësi se kur kemi të bëjmë me një sëmundje të re. Ne duhet të jemi në gjendje ta zbulojmë atë dhe të kundërpërgjigjemi shumë shpejt. Forcimi i vëzhgimit përfshin gjithashtu vëzhgimin në laborator. Aspekti i dytë, sidomos përsa i përket gripit, është krijimi me shpejtësi të madhe i vaksinave dhe i ilaçeve të reja. Kjo kërkon të paktën 6 muaj, pavarësisht nga lloji i virusit që përhapet me sëmundjen. Aspekti i tretë është se vendet e ndryshme duhet të forcojnë përgatitjet për raste epidemish, pra të jenë në gjendje të kontrollojnë me efikacitet shëndetin e njerëzve ose të frenojnë përhapjen e epidemive”, thotë ai.

Zoti Stohr thotë se nga gripi ka mundësi të preket 10 deri në 15 % e popullatës. Sipas tij, sistemet shëndetësore të shumë vendeve ka mundësi të mbingarkohen, për shkak të numrit të madh të njerëzve që mund të sëmuren rëndë apo të vdesin.//kk//

XS
SM
MD
LG