Qeveria amerikane e ngriti sot nivelin kombëtar të gatishmërisë ndaj rrezikut terrorist në ”të lartë”, ndërsa ekziston frika se vala e fundit e sulmeve terroriste në Arabinë Saudite dhe Marok mund të përhapet në Shtetet e Bashkuara.
Niveli i kërcënimit nga rreziku terrorist u rrit nga i verdhë në portokalli. Ky është një shkallë më poshtë nivelit më të lartë të gatishmërisë.
Vendimi për të ngritur nivelin e gatishmërisë u mor pasi zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Bush rishikuan të dhënat e zbulimit të bazuara në përgjimin e komunikimeve që tregojnë për një rritje të mundësisë për sulme terroriste në Shtetet e Bashkura.
Asa Hutchinton është Nënsekretar i Dapartamentit për Sigurimin e Atdheut:
“Ka patur një rritje të informacioneve specifike lidhur me kërcënimet për të cilat mësojmë, por që nuk janë me domosdo të përcaktuara përsa i përket objektivave që mund të vihen në shenjestër. Kjo është arësyeja për rritjen e nivelit të gatishmërisë në shkallë kombëtare”, thotë Nënsekretari.
Zoti Hutchinton thotë se al-Qaida vazhdon të jetë kërcënimi kryesor terrorist, por shton se organizata të tjera anti-amerikane përbëjnë gjithashtu shqetësim.
Ai vuri në dukje sulmet e fundit në Arabinë Saudite dhe Marok dhe tha se ekziston shqetësimi që terroristët mund të provojnë taktika të ngjashme në Shtetet e Bashkuara.
“Terroristët mund të përdorin skuadra të vogla të armatosura sulmuese, kamionë me lëndë shpërthyese dhe persona që hedhin veten në erë. Kjo nuk do të thotë se do të ndodhë në Shtetet e Bashkuara, por duke parë një model veprimtarie jashtë Amerikës, që drejtohet kundër objektivave amerikane, sigurisht që duhet të jemi të vetëdijshëm se ekziston mundësia e përdorimit të taktikave të tilla këtu në Shtetet e Bashkuara”, tha Nënsekretari Hutchinson.
Zyrtarë të Departamentit për Sigurimin e Atdheut thonë se po inkurajojnë guvernatorët e shteteve në mbarë vendin të ndërmarrin masa për forcimin e sigurisë, posaçërisht në zona ku planifikohen grumbullime të mëdha publike.
Hera e fundit, kur u gatishmëria u ngrit në nivel ”të lartë”, ose në ngjyrë portokalli ishte gjatë luftës në Irak, dhe më pas ra në gatishmërinë e nivelit një shkallë më poshtë ose e verdhë me përfundimin e luftimeve kryesore.
//ze//