Lidhje

Bashkimi Evropian synon të përforcojë lidhjet me Ballkanin - 2003-05-22


Bashkimi Europian synon të përforcojë marrëdhëniet me vendet e Ballkantit perëndimor me qëllim integrimin e tyre sa më të shpejtë. Sot në Tiranë shefi i delegacionit të Komisionit Europian Luc Salcman prezantoi komunikatën që komisioni i ka drejtuar Këshillit dhe Parlamentit Evropian për vendet e Ballkanit.

Synimi i kësaj nisme është intensifikimi i procesit të Asocim Stabilizimit, ku në thelb do të jetë një partneritet i ri mes BE dhe vendeve ballkanike. Që prej disa muajsh, përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian kishin deklaruar herë pas here rëndësinë që i kushtonin integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Që nga presidenti i Komisionit Europian Romano Prodi e deri të zyrtarë të tjerë, ishin shprehur se Bashkimi i Evropës nuk do të ishte i plotë, pa përfshirjen e shteteve të Ballkanit.

Dje, Komisioni Europian i paraqiti Këshillit dhe Parlamentit Europian një komunikatë, ku propozohet një strategji e re për marrëdhëniet me vendet e rajonit. Komunikata propozon pasurimin e politikave të derisotme në rajon. Procesi i Asocim Stabilizimit do të vazhdojë të mbetet kuadri bazë i politikës së BE, por atij do t'i jepet një dimension i ri, duke shtuar instrumenta të reja.

Kjo komunikatë u prezantua sot në Tiranë nga shefi i delegacionit të Komisionit Europian Luc Salcman, i cili shpjegoi edhe detajet e saj. Në qendër të dokumentit të Komisionit, është propozimi për një marrëdhënie të re partneriteti me secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo marrëdhënie e re do të shërbejë për të identifikuar përparësitë e veprimit për afrimin e vendeve të Ballkanit: reformat afatshkurtra dhe afatmesme që secili vend duhet të ndërmarrë, të cilat do të shërbejnë si një listë detyrash për të matur progresin e bërë.

Përveç partneritetit të ri do të përdoren edhe instrumenta të tjerë të cilët politikë dhe ekonomikë, që nga shtimi i ndihmës për forcimin e institucioneve, përmirësimin e bashkëpunimit politik, zgjerimi dhe forcimi i zhvillimit ekonomik, forcimi i shttit ligjor, drejtësisë, një pjesëmarrje më e gjerë në programet e rëndësishme të komunitetit, si dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.

Një pikë e cila bie në sy, ka të bëjë me bashkëpunimin politik, ku vendet e Ballkanit ftohen t'i bashkangjiten deklaratave të BE, pozicionimeve dhe vendimeve të tjera të politikës së jashtme dhe sigurisë, një qëndrim, i cili duket hapur se është kushtëzuar nga qëndrimi që pothuajse të gjitha vendet e rajonit Ballkanik mbajtën në mbështetje të Shteteve të Bashkuara për Cështjen e Irakut, apo dhe marrëveshjeve të nënshkruara lidhur me Gjykatën Ndërkombëtare Penale. //ss//

XS
SM
MD
LG