Lidhje

Presidenti Bush takon javën e ardhshme kryeministrin izraelit dhe atë palestinez - 2003-05-27


Jordania njoftoi se takimi i nivelit të lartë midis Presidentit Bush, kryeministri izraelit, Ariel Sharon, dhe kryeministrit palestinez, Mahmud Abas, do të mbahet në Jordani gjatë vizitës që presidenti Bush pritet të bëjë javën tjetër në Lindjen Mesme.

Ministri jordanez i Informimit, Muhamed Aduan, tha dje se bisedimet do të zhvillohen në vendpushimin Akaba të Detit të Kuq javën që vjen. Ai tha gjithashtu se para se të shkojë në Jordani, Presidenti Bush do të marrë pjesë edhe në një takim të udhëheqësve arabë në Egjipt.

Shtëpia e Bardhë nuk e ka njoftuar zyrtarisht mbajtjen e takimit të nivelit të lartë në Lindjen e Mesme. Pjesëmarrja në takimin e nivelit të lartë me udhëheqësit izraelitë e palestinezë do të ishte roli më i drejtpërdrejtë i presidentit Bush në përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës thuajse 32 mujore midis Izraelit dhe palestinezëve.

Pritet gjithashtu që kryeministri izraelit, Ariel Sharon, dhe homologu i tij palestinez, Mahmud Abas, të takohen këtë javë për diskutime rreth planit të ri ndërkombëtar të paqes. Fillimisht, bisedimet ishin planifikuar për sot, por ato shtynë për shkak të një vizite të planifikuar të diplomatëve të huaj në selinë e Autoritetit Paletinez.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të bashkuara, Kofi Annan, mirëpriti pranimin nga Izraeli të planit të paqes, i njohur edhe si Harta Rrugore. Ai e cilësoi këtë hap si një zhvillim inkurajues.

//ze//

XS
SM
MD
LG