Lidhje

Presidenti Bush në krye të veprimtarive për mbledhjen e fondeve për fushatën - 2003-06-18


Zgjedhjet e ardhshme presidenciale vërtet zhvillohen pas 17 muajsh, por kandidatët kanë filluar që tani veprimtaritë për grumbullimin e fondeve nga përkrahësit e tyre. Presidenti Bush është vënë në krye të këtyre veprimtarive dhe mund të quhet “kryetari i veprimtarive për grumbullimin e fondeve”.

Presidenti Bush synon të thyejë gjithë rekordet e mëparshme për grumbullimin e fondeve për fushatën elektorale. Ky proces filloi zyrtarisht të martën në Washington.

Përkrahësit e presidentit Bush kishin mbushur sallën e ballove të hotelit, nën tingujt e muzikës country dhe ishin grumbulluar rreth tavolinave me ushqime. Çmimi për të marrë pjesë në këtë aktivitet: 2 mijë dollarë për person. Brenda një nate u grumbualuan kështu 3,5 milionë dollarë për fushatën elektorale të presidentit Bush. “Ju falënderoj të gjithëve. Mbështetja juaj po hedh themelet për përpjekjet e fuqishme që do të bëhen gjatë zgjedhjeve presideciale të vitit të ardhshëm”, tha Presidenti Bush.

Kjo ishte veprimtaria e parë për grumbullimin e fondeve, mes një numri veprimtarish të ngjashme në të gjithë vendin, ku do të marrë pjesë presidenti Bush gjatë javëve të ardhshme: nga New Yorku, në Californi, Florida, Miçigan dhe në shtetin i tij Teksas.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë theksojnë se presidenti po i kushton kohë këto ditë drejtimit të vendit dhe jo thjesht fushatës. Por ata gjithashtu thonë se presidenti duhet të përgatitet për zgjedhjet e vitit 2004, duke i grumbulluar që tani fondet për fushatën.

Në të njëjtën kohë, presidenti Bush po fillon të përcjellë mesazhin për votuesit përmes fjalimeve, siç ishte ai në Washington, që është cilësuar si parathënie e fjalimeve që do të mbajë në të ardhmen gjatë fushatës elektorale. “Gjatë këtyre dy vjetëve e gjysëm të fundit, kombi ynë është përballur me disa sfida të mëdha. Dhe ne kemi vepruar me vendosmëri për t’i përballuar ato”, tha ai.

Presidenti Bush përmendi në fjalimin e tij të gjitha arritjet e tij me radhë, gjatë këtyre viteve të tij si president, duke filluar me luftën kundër terrorizmit. “Ne po i përgjigjemi provave të kohës sonë. Terroristët deklaruan se do të zhvillojnë luftë ndaj Shteteve të Bashkuara. Dhe ne ju përgjigjëm atyre me luftë.”

Grumbullimi i fondeve për fushatën elektorale është një përpjekje e përbashkët për fushatën. Nënpresidenti amerikan Dick Cheney gjithashtu do të marrë pjesë në një sërë veprimtarish për grumbullimin e fondeve gjatë javëve të ardhshme, ashtu sikurse edhe zonja e parë, Laura Bush.//kk//

XS
SM
MD
LG