Lidhje

Shpërthim i ri i në një naftësjellës në Irak - 2003-06-23


Një zyrtar irakian i naftës tha se një shpërthim afër kufirit me Sirinë ka bllokuar edhe një naftësjellës tjetër irakian. Zyrtari nuk dha shumë hollësi rreth këtij shpërthimi, i dytë i këtij lloji që nga dita e shtunë.

Njoftimi ende nuk është konfirmuar nga zyrtarët amerikanë. Autoritetet ushtarake amerikane po vazhdojnë hetime në lidhje me një shpërthim tjetër që shkaktoi mbylljen e një naftësjellësi të rëndësishëm në perëndim të Bagdadit.

Këto zhvillime ndodhin ndërkohë që administrata civile e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, thotë se do të fillojë javën tjetër rekrutimin për një ushtri të re irakiane, për të zëvendësuar ushtrinë e shpërbërë të Sadam Huseinit.

Këshilltari kryesor amerikan, Uollter Sllokomb, tha se divizioni i parë prej 12 mijë trupash do të jetë gati vitin tjetër dhe se brenda tre vjetësh, efektivi i ushtrisë së re irakiane do të arrijë në 40 mijë trupa. Zoti Sllokomb tha gjithashtu se pagesat e para për ish-ushtarët irakianë do të fillojnë muajin e ardhshëm.

Ndërkohë, njoftohet se zyrtarë amerikanë po bëjnë analiza për të përcaktuar në se Sadam Huseini, apo dy djemtë e tij ishin në një autokolonë të vogël që u shkatërrua javën e kaluar nga një sulm amerikan me raketa në afërsi të kufirit me Sirinë.// lk //

XS
SM
MD
LG