Lidhje

SHBA konfirmojnë sulmin kundër një autokolone, ku mendohet të ndodheshin udhëheqës të ish regjimit të Sadam Huseinit - 2003-06-24


Një zyrtar amerikan i mbrojtjes konfirmoi njoftimet se forcat speciale amerikane sulmuan një autokolonë në Irak javën e kaluar, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të asgjësuar elementë të mbetur të ish regjimit të Sadam Huseinit. Zyrtari nuk dha hollësi se kush ishte në autokolonë kur ajo u vu në shënjestër në afërsi të kufirit me Sirinë.

Megjithatë zyrtari i mbrojtjes tha se 5 sirianë u plagosën në këtë incident, 3 prej të cilëve u kuruan nga forcat amerikane. Ai shtoi se forca amerikane ndodhen në vendin e sulmit dhe po punojnë për të identifikuar të vrarët. Sipas zyrtarit, po të jetë nevoja mund të bëhen analiza të ADN-së për të identifikuar të vrarët.

Shtëpia e Bardhë tha se sulmi kishte në shënjestër udhëheqës të ish qeverisë së Bagdadit. Por autoritetet amerikane thanë se nuk kanë prova që ish udhëheqësi irakian Sadam Husein ose dy djemtë e tij të jenë mes të vrarëve.

Ndërkaq, një zyrtar i sektorit të naftës në Irak tha se një shpërthim afër kufirit me Sirinë ka bllokuar edhe një naftësjellës tjetër irakian. Zyrtari nuk dha shumë hollësi rreth këtij shpërthimi, i dytë i këtij lloji që nga dita e shtunë. Autoritetet amerikane po vazhdojnë hetimet rreth shpërthimit të së shtunës, nga i cili u bllokua një naftësjellës i rëndësishëm në perëndim të Bagdadit.

Kombet e Bashkuara bënë thirrje për një shumë shtesë prej 259 milion dollarësh në ndihma humanitare për Irakun, që do të përdoreshin deri në fund të vitit. Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara njoftuan se fondet janë të nevojshme për programet e shëndetit fhe të arsimit për fëmijët irakianë dhe për të mbështetur kthimin e refugjatëve.

Kordinatori i ndihmave humanitare të Kombeve të Bashkuara, Ramiro Lopez Da Silva, tha se gjendja e sigurimit ende nuk është nën kontroll. Ai shtoi se shqetësimet rreth sigurimit i kanë detyruar agjencitë e ndihmave që të kufizojnë lëvizjet dhe punën e tyre. Ai i bëri këto komente dje në Kombet e Bashkuara në një konferencë mbi rindërtimin e Irakut.

Po dje, anëtarë të delegacionit të parë të senatit amerikan, që viziton Irakun e pas luftës, thanë se forcat amerikane mund të qëndrojnë në atë vend për 5 vjet. Senatori Joseph Biden tha në Bagdad se nuk është i sigurtë në se populli amerikan e kupton se sa kohë do të duhet për rindërtimin e Irakut dhe se sa do të kushtojë ky proces.

//ze//

XS
SM
MD
LG