Lidhje

Vdiq senatori amerikan Strom Thurmond - 2003-06-27


Senatori më i moshuar që ka shërbyer ndonjëherë në Senatin amerikan, Republikani Strom Thurmond vdiq të enjten, më 26 qershor, në moshën 100 vjeçare.

Derisa mosha e madhe dhe shëndeti i dobët më në fund i ndalën hovin, Strom Thurmond ishte ai që çdo mëngjes shpallte fillimin e punës së Senatit. Ai shërbeu më shumë se 48 vjet në Kongresin amerikan, duke qënë kështu senatori më i moshuar dhe me karierë më të gjatë në historinë amerikane. Edhe pse anketat e opinionit publik tregonin se votuesit dëshironin që ai të dilte në pension, zoti Thurmond kandidoi për mandatin e tij të fundit në vitin 1996 dhe fitoi me lehtësi, duke ruajtur kështu vendin e tij në kongres.

Strom Thurmond lindi në dhjetor të vitit 1902 në Egjfild, qytet i vogël në Karolinën e Jugut. Ai filloi karrierën e tij në politikë si demokrat në vitin 1929. Morri pjesë aktive në luftën e dytë botërore dhe u zgjodh guvernator i shtetit të Karolinës sç Jugut menjëherë pas luftës.

Në vitin 1948 ai kandidoi për postin e presidentit me një platformë për ndarjen racore. Vite më vonë ai thoshte se platforma e tij nuk kishte të bënte me racën, por me të drejtat e shteteve federale, të cilat, sipas tij, ishin abuzuar nga presidenti Truman. “Trumani bëri shumë gjëra të mira. Ai hodhi bombën bërthamore në Japoni, që unë mendoj se ishte një hap pozitiv dhe disa gjëra të tjera. Por ai donta ta përqëndronte të gjthë pushtetin politik në Uashington kurse unë doja t’ua lija atë shteteve. Kjo ishte edhe arsyeja pse une kandidova kundër tij për postin e presidentit,” pat thënë zoti Thurmond. Në vitet ’50 dhe ’60, zoti Thurmond kundështoi shumë ligje që kishin të bënin me të drejtat civile. Në një rast për të bllokuar një ligj të tillë ai u foli pa pushim për 24 orë. Koha rekorde për fjalime në Senat u bë pjesë e legjendës së tij. Legjendës iu shtua edhe një kapitull kur në moshën 60 vjeqare, senatori Thurmond u martua më një 22 vjeçare, ish fituese konkursi bukurie, dhe pati me të 4 fëmijë. Me kalimin e kohës, senatori Thurmond zbuti qëndrimet e tij kundër ndarjes racore, por vazhoi të kishte pikpamje konservatore sidomos rreth nevojës për të pasur një mbrojtje të fortë kombëtare. Në vitin 1964 ai kaloi nga Partia Demokrate në atë republikane, sepse sipas tij Partia Demokrate po e çonte vendin drejt socializmit.

Me kalimin e viteve, zoti Thurmond dukej si i hutuar dhe kishte probleme në të dëgjuar. Por gjatë procesit në Kongres për shkarkimin e presidentit Klinton, kur senatorë më të rinj në moshë nuk përqëndroheshin dot, madje edhe koteshin gjatë këtij procesi, senatori Thurmond ishte aktiv dhe ndoqi me vëmëndje procesin e shkarkimit të presidentit Clinton, të cilin edhe e mbështeti. Ai bëri një jetë aktive deri në vitet e fundit të jetës së tij duke lënë gjurmë në histori dhe duke përfaqësuar shtetin e tij.

//ad//

XS
SM
MD
LG