Lidhje

Skandali në New York Times ngjall pyetje mbi shtypin amerikan - 2003-07-01


New York Times, një nga gazetat kryesore, me një histori 152 vjeçare udhëhiqet nga kjo politikë botuese: “Të Gjitha Lajmet e Përshtatshme për Botim”. Ky shënim është në krye të faqes së parë të çdo numri të gazetës.

Por pas skandalit të gazetarit Jayson Blair në prill, që solli dorëheqjen e kryeredaktorit dhe redaktorit menaxhues, mund të lindë pyetja nëse “ lajme të përshtatshme” do të thotë edhe “lajme të vërteta”.

Gazeta e vlerësuar për saktësinë dhe integritetin, pranoi në numrin e saj më 11 maj se 27 vjeçari Blair i kishte sajuar disa pjesë në të paktën 36 nga 37 artikuj që kishte shkruar që në tetor të vitit 2002.

Në një intervistë televizive ai e pranoi se kishte bërë shumë gabime, megjithatë në një intervistë tjetër ai u tregua i paturp kur tha se nuk mund të pushonte së qeshuri kur redaktorët e tij e besuan përshkrimin që ai i kishte bërë shtëpisë së një ish robi lufte.

Jayson Blair kishte patur mbështetjen e kryeredaktorit Howell Raines dhe redaktorit menaxhues Gerald Boyd. Ata dhanë dorëheqjen më 5 qershor. James Naughton, President i Institutit Poynter, që nxit standardet e gazetarisë thotë se megjithëse ka patur në gazetarinë amerikane edhe më parë raste të kopjimit të artikujve të të tjerëve, duke i paraqitur si të vetat, këtë radhë është ndryshe:

“Para së gjithash ishte gjë e madhe sepse bëhej fjalë për gazetën New York Times. Shumë gazetarë, edhe unë mes tyre, e konsiderojmë atë si modelin e gazetarisë amerikane. Dhe megjithëse të gjithë e dimë se ka disa të meta, ideja se dikush mund të bënte ato që bëri Jayson Blair, për një kohë aq të gjatë, ishte tronditëse”, thotë ai.

Një tjetër problem ishte figura e kryeredaktorit Raines, që ngjalli shumë debate. Në të vërtetë gazeta nën drejtimin e tij fitoi vitin e kaluar shtate çmime Pulitzer dhe zoti Nughton thotë se Raines ishte edhe vetë një gazetar i jashtëzakonshëm.

Por Joellen Perry, bashkëpunëtore e së përjavshmes US News and World Report thotë se Howell Raines ishte kritikuar brenda dhe jashtë gazetës sepse i fyente gazetarët, faviorizonte disa prej tyre, përqendrohej tek stili i të shkruarit dhe jo tek përmbajtja e një artikulli dhe e drejtonte gazetën sipas preferencave të tij politike.

Disa njerëz kanë shtruar pyetjen nëse fakti që Jayson Blair ishte afrikano-amerikan, luajti rol në këtë skandal. Ja ç’thotë, David Rubin, dekan i Fakultetit të Komunikimit Publik në Universitetin e Sirakuzës.

“Unë mendoj se Blair ndoshta nuk do të ishte marrë në punë në atë moshë, apo të ngjiste aq shpejt shkallët e karrierës, po të mos ishte përfaqësues i pakicës, sepse gazeta New York Times mund të zgjedhë të gjithë gazetarët që do në gjithë vendin dhe t’i lërë gazetarët e rinj të piqen në organe të tjera shypi. Përveç kësaj Blair as nuk është diplomuar në universitet. Unë nuk mund ta imagjinoj sesi dikush pa diplomë mund të punësohet nga New York Times”, thotë ai.

Kështu që skandali i Jayson Blairit është përdorur nga disa për vënë në dukje atë që ata mendojnë të jetë dështimi i programit për favorizimin e pakicave. Kritikët e favorizimit të pakicave thonë se nxitja për të punësuar dhe mbështetur pakicat, sjell si rezultat vendosjen e njerëzve në poste që nuk i meritojnë.

Megjithatë shumë të tjerë thonë se raca nuk ishte kishte të bënte me këtë çështje. Donna Britt, që shkruan komente për gazetën Washington Post është njëra prej tyre dhe thotë se njerëzit përparojnë në karrierën e tyre për shumë arsye, si: lidhjet që kanë, sepse janë tërheqës, për shkak të të gjitha arsyeve që kanë drejtuesit kur mbështesin njerëzit në karrierë.

Në fakt, në shumë drejtime skandali Blair kishte të bënte vetëm me gazetarët. Publiku i përgjithshëm nuk u interesua shumë për të.

Megjithë skandalin, zoti Rubin i Universitetit të Sirakuzës thotë se gazeta New York Times ka standarde më të larta në mbledhjen e lajmeve sesa televizionet.

Edhe tek James Naughton nuk është lëkundur besimi tek gazetaria amerikane në përgjithësi. Ai mendon se pavarësisht nga tronditja e besimit tek media, nuk bëhet fjalë, ashtu siç mendojnë disa për “një krizë në gazetarinë amerikane”.

Dhe përsa i takon Jayson Blairit, në çdo profesion ka njerëz skandalesh dhe mashtrimesh dhe gazetaria nuk bën përjashtim. //kk//

XS
SM
MD
LG