Lidhje

Thaçi: puna e zotit Shtajner ka qenë e suksesshme - 2003-07-07


Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë Mikael Shtajner i dha fund të hënën misionit të tij. Zoti Steiner u takua për herë të fundit me udhëheqësit shqiptarë. Pas takimit, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës e vlerësoi si të suksesshme punën e zotit Shtajner.

Zëri i Amerikës Zoti Thaçi si do ta vlerësonit mandatin e zotit Shtajner? Cila, sipas mendimit tuaj, është trashëgimia e tij?

Hashim Thaçi Unë mendoj se angazhimi i Kryeadministratorit Shtajner ka qenë në përputhshmëri me kornizën në të cilën ka vepruar ai si Kryeadministrator i Kosovës. Zoti Shtajner ka ardhur në një kohë jo edhe aq të përshtashme për Kosovën. Kosova nuk kishte institucione në nivel qendror; prandaj ishte hap i domosdoshëm ndërtimi i institucioneve të përbashkëta menjeherë pas ardhjes së zotit Shtajner. Gjithashtu u krijuan kushte më të mira që të merret më seriozisht edhe zgjidhja e problemit të Mitrovicës dhe gjithashtu edhe për sa i përket aspektit ekonomik dhe krijimit apo relaksimit të raporteve ndërpartiake, por edhe ndëretnike, si dhe fillimi i kthimit të refugjatëve. Në kuadër të kësaj, mendoj se zoti Shtajner ka bërë edhe një punë të lakmueshme në drejtim të krijimit të hapësirave apo të krijimit të bazës legale për të komunikuar institucionet kosovare me vendet fqinje por edhe për t’u integruar gradualisht në disa mekanizma të komunitetit perëndimor. Vlerësoj se ka patur edhe lëshime, ka patur edhe kundërthënie mes vendorëve dhe Kryeadministratorit apo administratës së UNMIK-ut. Ka patur kundërthënie parimore, por ka patur ndonjëherë mosmarrëveshje të pakuptueshme, por sido që të jetë, unë e vlerësoj si të suksesshme punën e zotit Shtajner në Kosovë. Ne vendorëve tash na mbetet që të vazhdojmë angazhimet tona në realizimin e standarteve demokratike dhe natyrisht në krijimin e bazës së mirë për të vazhduar në implemetimin e proçesit “standartet me statusin”.

Zëri i Amerikës Zoti Thaçi, siç thatë edhe ju, marrëdhëniet midis udhëheqësve shqiptarë dhe administratorit Shtajner shpesh u karakterizuan dhe me keqkuptime dhe ballafaqime rreth politikës së standarteve, që kishte përcaktuar ai; transferimit të kompetencave; marrëdhënieve të tij me Serbinë; dhe dialogun Prishtinë-Beograd. A ishin këto keqkuptime dhe ballafaqime rezultat i qeverisjes së dyfishtë apo ishin ato rrjedhim i përplasjes së personaliteteve?

Hashim Thaçi Në Kosovë shpesh zbatohen standartet e dyfishta në kuadër të funksionimit të institucioneve vendore apo bashkëqeverisjes me ndërkombëtarët. Vlerësoj se ka patur kundërthënie ndonjëherë edhe personale të disa autoriteteve kosovare me zotin Shtajner dhe nga ana e zotit Shtajner me disa personalitete politike dhe institucionale kosovare. Por për sa i përket standarteve, në kuadër të kësaj, ato standarte nuk janë të huaja për popullin e Kosovës dhe për institucionet e Kosovës. Realizimi i atyre standarteve është edhe vendosmëri dhe përcaktim i autoriteteve vendore sepse ne të gjithë jemi përcaktuar që të realizojmë ato kritere evropiane si kusht i domosdoshëm për t’u integruar në strukturat evropiane, prandaj edhe përcaktimi ynë është mjaft i qartë në fillimin dhe fuqizimin e reformave politike edhe ekonomike dhe të legjislacionit bashkohor në mënyrë që të ecim krah për krah me vendet e tjera të rajonit për t’u integruar në strukturat evropiane. Dhe përsa i përket dialogut mendoj se Prishtina ka treguar një përgjegjësi të lartë, ka treguar një gadishmëri të mençur, por vlerësoj se në kuadër të kësaj ka ende hapësirë që Prishtina të përgatitet edhe më mirë dhe të jetë e aftë të ballafaqohet me sfidat në të ardhmen edhe të bashkëpunimit, mirëkuptimit, të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, por mbi të gjitha duhet të jemi të përgatitur për t’u integruar në strukturat evropiane, në ato mekanizma ku ka hapësirë legale.

Zëri i Amerikës Zoti Thaçi, thirrja që ju edhe udhëheqës të tjerë të lartë të Kosovës u bëtë refugjatëve serbë për t’u kthyer është vlerësuar gjerësisht. Siç dihet qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar është që rruga e vetme drejt statusit përfundimtar të Kosovës është përmes trajtimit korrekt të serbëve dhe pakicave të tjera. Në këto kushte, çfarë hapash praktike keni ndërmend që të merrni ju dhe kolegët tuaj, që nënshkruan letrën, për të lehtësuar kthimin e serbëve në Kosovë.

Hashim Thaçi Edhe për këtë çështje mendoj se lidershipi kosovar ka treguar një përgjegjësi të lartë duke marrë përsipër edhe obligimin humanitar që t’u krijohen mundësitë për kthim të gjithë refugjatëve që dëshirojnë të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre. Kosova është vend i të gjithë qytetarëve të saj pa dalllim përkatësie etnike. Dhe në rastin e zgjedhjes së statusit politik ne nuk pretendojmë të ndërtojmë një Kosovë vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët e saj, për serbë, malazezë, turq, ashkali, egjiptianë etj në mënyrë që të gjithë të kenë të drejtat e tyre të barabarta. Por mbi të gjitha angazhohemi që të respektohen të drejtat e njeriut, të respektohen të drejta e barabarta për të gjithë qytetarët e saj, angazhohemi që të kemi një Kosovë të pandarë në asnjë mënyrë, angazhohemi që të mos ketë zgjidhje të njëanshme, të mos ketë solucione të dhunshme. Prandaj mendoj se në kuadër të respektimit të parimeve demokratike do të ecim paralelisht në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës dhe natyrisht integrimit të saj në strukturat përëndimore. Dhe vlerësoj se Kosova në të ardhmen e afërt do të ketë statusin evropian, si do t’i kenë edhe vendet e tjera të pavarura në rajon.

Zëri i Amerikës Zoti Thaçi, analistët shpesh thonë se udhëheqësit e Kosovës i kushtojnë shumë vëmendje statusit përfundimtar dhe marrëdhënieve me Beogradin dhe jo aq shumë vëmendje zhvillimeve brenda në Kosovë. Stabiliteti ekonomik dhe social i Kosovës do të vihet në provë nga disa prirje mjaft negative ekonomike siç janë pakësimi dramatik në 25 përqind i ndihmave që Kosova ka marrë nga donatorët e huaj që pas luftës, nga rënia e pritshme e prodhimit të brendshëm, papunësia e lartë dhe nga mungesa e investimeve nga jashtë. A ekziston ndonjë strategji për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe sa i shqetësuar jeni ju personalisht nga shtimi i pakënaqësisë së publikut, siç tregohet edhe nga anketat e fundit të kryera në Kosovë?

Hashim Thaçi Unë vlerësoj komentet e analistëve të ndryshëm të Prishtinës edhe atyre të jashtëm, por vlerësoj gjithashtu se e tëra që është arritur në Kosovë nuk është pak. Ne duhet të bëjmë krahasime me vendet që dolën nga krizat si ajo e Kroacisë, edhe të Bosnjë Hecegovinës, edhe të Maqedonisë dhe nëse bëjmë një paralele mes atyre zhvillimeve dhe situatës që ka kaluar Kosova, luftës së tmerrshme, tranzicionit mjaft të vështirë, kalimit të pasojave të luftës, fazës së emergjencës, atëherë, ky lidership ka treguar përgjegjësi bukur të lartë. Nuk them që nuk ka patur mundësi të bëhet edhe më tepër mirëpo, nëse kemi parasysh rrethanat dhe kufizimet në të cilat kanë vepruar partitë politike, por edhe institucionet e Kosovës deri diku, atëherë mund të themi se është një arritje shumë e mirë. Kemi një Kosovë të lirë, po realizohen standartet gradualisht, kemi fillim të kthimit të refugjatëve, kemi fillimin e proçesit të privatizimit, që unë besoj se do të krijojë një hapësirë të mirë edhe për punësimin e njerëzve të rinj dhe të aftë, edhe të bizneseve të vogla dhe të mesme. Gjithashtu nuk ndaj opinionin me ata njerëz që janë pesimistë për Kosovën, jam optimist racional dhe vlerësoj se do të ndërtojmë një Kosovë më demokratike që është e mundur dhe do të krijohen hapësira dhe rrethana të mira për bashkëpunim me fqinjët. Gjithashtu, ne duhet të mendojmë dhe punojmë për statusin, por jo të punojmë për statusin që e mban Kosovën të izoluar, por për statusin që qytetarët e Kosovës t’i gëzojnë të gjithë të drejtat e tyre dhe me çdo kusht me një status që i hap perspektivën Kosovës për t’u integruar në familjen e madhe evropiane. Prandaj kam qënë dhe jam optimist për Kosovën, por edhe për zhvillimet demokratike në rajon. //kk//

XS
SM
MD
LG