Lidhje

Debati për Aktin Patriotik vazhdon, gati dy vjet pas miratimit - 2003-07-07


Pas sulmeve të 11 shtatorit këtu në Shtetet e Bashkuara, Kongresi amerikan miratoi me shumicë dërrmuese ligjin e quajtur Akti Patriotik që u jep autoriteteve federale kompetenca të gjera për të luftuar terroristët.

Që në fillim ky ligj ngjalli debate. Kritikët thonë se ai cënon të drejtat civile, ndërsa ata që e mbështesin thonë se i jep qeverisë mjetet e nevojshme për të parandaluar terrorizmin.

Carrboro në Karolinën e Veriut është një qytet tradicional, ku berberi ende kërkon vetëm 5 dollarë për një prerje flokësh. Vështirë të jetë një vatër veprimtarie antiqeveritare, megjithatë disa nga banorët janë të shqetësuar se Akti Patriotik mund të rrezikojë të drejtat e tyre kushtetuese. “Ne të gjithë jemi patriotë, të gjithë jemi kundër terroristëve. Të gjithë kemi besim tek mbrojtja e vendit”, thotë një banor.

Banorët e Carrboros ishin më të shqetësuar për kompetencat e reja që u jep Aktit Patriotik autoriteteve për të bërë kontrolle të fshehta në shtëpi dhe në vendet e punës. Kështu pas një votimi në këshillin e qytetit, Carrboro u bë një nga 100 qytetet në gjithë vendin që kanë miratuar rezoluta për “Mbrojtjen e kartës së të Drejtave”.

Sipas kësaj rezolute, hetuesit federalë që vijnë në qytet, duhet të raportojnë tek drejtuesit e qytetit dhe të japin sqarime për punën e tyre. Po ashtu sipas saj, policia vendore duhet të mbrojë të drejtat e banorëve dhe të mos lejojë kontrolle ose konfiskime të paarsyeshme.

Por debati mbi Aktin Patriotik i kalon kufijt e Carrboros. Në Washington, Profesori i së Drejtës në Universitetin GeorgeTown, David Cole është një nga kundërshtarët kryesorë.

“Ky ligj i jep Prokurorit të Përgjithshëm të drejtën t’i mbajë në qeli të huajt, pa dhënë prova se ata paraqesin vërtet rrezikshmëri ”. I jep FBI-së të drejtën që të kontrollojë se çfarë librash blejnë apo marrin në bibliotekë njerëzit, pa dëshmuar se ata dyshohet të jenë përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal, aq më pak terrorist. I jep qeverisë kompetencat për të kryer kontrolle të fshehta dhe përgjime të fshehta pa patur arsye që të bëjnë të mendosh se mund të ketë aktivitet kriminal, çka është kërkesa minimale në bazë të Kushtetutës para se të përgjosh, apo kontrollosh”, thotë ai.

Por profesori i së drejtës Viet Dinh, po ashtu në fakultetin e së drejtës në Universitetin Georgetown, e mbron ligjin dhe thotë se ai i jep qeverisë vetëm kompetencat e nevojshme për të parandaluar një tjetër 11 shtator. Profesori Viet Dinh, që punon në Departamentin e Drejtësisë është një nga hartuesit e Aktit Patriotik.

“Unë mendoj se ka shumë keqinformime, dhe disa herë shtrembërime lidhur me Aktin Patriotik. Por kur të ndahet retorika nga e vërteta, histeria nga faktet, mendoj se do të bëhet shumë e qartë se në Aktin Patriotik nuk ka asgjë që të vërë në rrezik të drejtat e mbrojtura me Kushtetutë, apo që të kërcënojë të drejtat civile të amerikanëve, se pyetjet që është normale të ngrihen kanë marrë marrë përgjigje të plotë nga klauzolat e hartuara me shumë kujdes dhe të balancuara të Aktit Patriotik”, tha profesori.

Edhe Prokurori i Përgjithshëm John Ashcroft, në një seancë të Kongresit tha se ky Akt ishte thelbësor në luftën kundër terrorizmit.

“Do ta kishim më të vështirë, në mos të pamundur të parandalonim një sulm tjetër katastrofik në territorin amerikan, pa Aktin Patriotik”, tha ai.

Kundërshtarët e këtij akti janë të shqetësuar se çfarë mund të vijë pas tij. Pranverën e kaluar, David Cole rishikoi një projekt-propozim për të cilin Departamenti i Drejtësisë, që po e shqyrtonte, nuk pranonte të bënte komente. Por projekti përmbante propozime që alarmuan si liberalët, madje edhe disa grupe konservatore. “Ai autorizon për herë të parë arrestime të fshehta. Ai i lejon qeverisë të kapë njerëz t’i mbajë ata në qeli, dhe të mos t’ia bëjë këtë të ditur publikut. Po ashtu i jep qeverisë fuqinë t’u heqë qytetarëve amerikanë shtetësinë e tyre nëse akuzohen se kanë lidhje me grupe që ne i cilësojmë si terroriste, po ashtu pa treguar ata janë vërtet të lidhur me ndonjë lloj veprimtarie terroriste. Kështu, i lë qytetarët pa shtetësi. Gjithashtu i jep Prokurorit të Përgjithshëm një autoritet në thelb të pakontrollueshëm për të dëbuar cilindo shtetas të huaj, pa qenë i detyruar të tregojë se ky individ është me të vërtetë i angazhuar në ndonjë veprimtari të paligjshme”, tha profesor Cole

Anketat e opinionit publik pasqyrojnë shqetësimin që lufta kundër terrorizmit të mos dëmtojë.

Aktit Patriotik i skadon afati në fund të vitit 2005. Por vëzhguesit presin që administrata e Presidentit Bush do të propozojë ligje të reja që do t’i mbajnë shumë nga klauzolat e tij në fuqi, madje edhe t’i zgjerojnë ato.//kk//

XS
SM
MD
LG