Lidhje

Maqedonia dhe e ardhmja e saj - 2003-07-11


Maqedonia ndodhet në një periudhë të vështirë tranzicioni ku çështjet e bashkëjetesës kryqëzohen me problemet ekonomike dhe sociale. Marrëveshja e Ohrit po zbatohet ngadalë, në ish zonat e konfliktit ekziston paqendrueshmëria. Megjithatë, gjendja nuk ka të krahasuar me dy vjet më parë kur vendi ishte në konflikt të armatosur. Por cilat janë perspektivat e zhvillimit, si i shikojnë ato vëzhguesit? Zëri i Amerikës intervistoi analistët nga Maqedonia, Ibrahim Mehmeti dhe Ilir Ajdini.

Zëri i Amerikës: Zoti Mehmeti. Anketat tregojnë se marrëveshja e Ohrit ka gjetur mbështetje midis popullatës në Maqedoni. Megjithatë, ka kritika se ajo nuk po zbatohet me ritmin e duhur. Cilat janë arësyet sipas jush?

IBRAHIM MEHMETI: Mendoj se arsyet kryesore janë në mosgatishmërinë e plotë të partnerëve të koalicionit, dhe sidomos mendoj se këtu pala maqedonase e ka rolin kryesor dhe mosgatishmëria e saj dhe mos përgatitja e saj, si dhe mospërgatitja e opinionit nga ana e kësaj partie për implementimin sa më të mirë të marrëveshshjes së Ohrit, mendoj se është njëra ndër arsyet kryesore.

Zëri i Amerikës: Një pyetje për ju zoti Ajdini, si po paraqitet Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia e zotit Ali Ahmeti në qeverinë e koalicionit, a po tregohen sa duhet aktivë ministrat e saj në zbatimin e marrëveshjes?

ILIR AJDINI : BDI-ja po shpreh një gatishmëri të plotë. Mund të shihet në veprimet e kësaj partie për të realizuar ato obligime të cilat i morëm bashkë me partnerin e koalicionit, mirëpo siç tha edhe kolegu, Ibrahimi, këtu nuk është problemi te partneri shqiptar. Ne kishim drojën se kjo parti shqiptare që tash merr pjesë në koalicion, do të ketë një partner i cili do të mundohej të gjejë mënyra për të penguar, për të zvarritur, për të zgjatur realizimin e marrëveshjes së Ohrit dhe me gjasë kështu edhe po del. Prandaj kapaciteti i BDI-së nuk mund të vihet në pyetje për ta realizuar këtë, mirëpo ja që hasim në pengesa të shumta.

Zëri i Amerikës: Partia Demokratike Shqiptare do të zhvillojë të shtunën Kongresin e saj. Pavarësisht nëse në krye të partisë do të rizgjidhen apo jo drejtuesit e saj të mëparshëm, Arbër Xhaferri dhe Menduh Thaçi, ka njoftime se partia do të ndryshojë programin duke shtuar në të të drejtën e vetvendosjes për shqiptarët. Sa mendoni se do të rigjallërohet partia pas këtij Kongresi? Si do të ndikonte kjo klauzolë në klimën e përgjithshme në maqedoni?

IBRAHIM MEHMETI: Unë mendoj se roli i PDSH-së në skenën politike të Maqedonisë është shumë i rëndësishëm dhe kontributi i kësaj partie ka qenë gjithmonë i rëndësishëm dhe ka pasur efekt në ambientin e përgjithshëm politik. Se si do të dalë pas këtij Kongresi do të varet para së gjithash nga vendimet e delegatëve të këtij Kongresi, pikërisht sa i përket kryesisë së ardhshme, kryetarit të ardhshëm sepse tani kjo pyetje tani është mjaft e paqartë. Nuk dihet se a do të mbetet e njejtë apo do të ndryshojë, ndërsa sa i përket ndryshimeve të programit të saj, varet se si definohet domethënë ky ndryshim, dhe kërkesa që tani për tani më shumë spekulohet sepse unë sa i përket përmbajtjes nuk e kam të qartë me vetëvendosjen. Kjo padyshim se do të kishte një ndikim të jashtzakonshëm edhe për partitë e tjera shqiptare por edhe për skenën politike në Maqedoni në përgjithësi jo vetëm për PDSH-në.

Zëri i Amerikës: Zoti Ajdini, a ka shpresa se kjo parti do të heqë elementët e kompromentuar nga strukturat e saj udhëheqëse?

ILIR AJDINI : Po deshi që të kthehet në skenë me një fuqi që të mund të ndikojë në rrjedhat politike, gjithsesi se do të duhet ta bëjë këtë. Ka edhe shpresa, domethënë, vendosmëria e udhëheqjes së kësaj partie që të bëjë ndryshime rrënjësore jep shpresa dhe sinjale të tilla por megjithatë gjithçka varet se çfarë do të vendosë nesër kjo parti, cila strukturë do të vijë në krye të asaj partie. Mendoj se qëllimet e lidershipit janë që partia të rimëkëmbet, dhe besoj që ata i kanë kuptuar gabimet që i kanë bërë në kohën kur ishte në pushtet dhe që lejuan që një pjesë e funskionarëve partiakë të hyjnë në ujërat e korrupsionit dhe të komprometojnë edhe subjektin në tërësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Mehmeti, në ish zonat e krizës ka ende paqendrueshmëri, vazhdimisht në zonën e Tetovës ka vrasje dhe incidente të tjera. Kush mban përgjegjësi për këtë situatë dhe si mund të rregullohet ajo?

IBRAHIM MEHMETI: Mendoj se është pyetje shumë e vështirë të përgjigjet se kush e mban përgjegjsinë. Sigusisht se kjo është ndër pasojat më të rënda të krizës në vend dhe kjo krizë tash mund të analizohet prej luftës së 2001 ose prej pavarësisë së Maqedonisë dhe kjo është gjithashtu temë shumë delikate. Sidoqoftë mendoj se kjo është një nga detyrat që qeveria aktuale duhet t’i zgjidhë sa më shpejt dhe sa më plotë sepse të gjitha përpjekjet për demokratizimin e vendit, për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, për stabilizimin e vendit dhe integrimin e saj në proceset evroatlantike, do ta vështirësonte apo ndoshta do të pamundësohen sepse ekziston një pasiguri e përgjithshme. Mendoj që ajo që thuhet se Maqedonia është stabilizuar është e vërtetë nëse krahasohet me luftën, mirëpo nëse shikohet situata në një ambient paqësor mendoj se mund të thuhet se pasiguria është duke u shtuar dhe jo duke u zvogëluar.

Zëri i Amerikës: Zoti Ajdini, vrasjet e bujshme para tri ditësh në Shkup me sa duket tregojnë se krimi i organizuar vazhdon të jetë një problem serioz. A mund të na thoni se cfarë natyre ka ky lloj krimi, a ka lidhje me grupe jashtë vendit apo janë këto përplasje midis klaneve?

ILIR AJDINI : Unë do të kisha thënë se megjithëse u tentua menjëherë pas ngjarjes të lidhet kjo më ndonjë krim të organizuar, ka mjaft shenja që bëjnë me dije se nuk bëhët fjalë thjesht për krim mafioz apo krim të kriminelëve ordinerë por kam edhe përshtypjen se sikur tentohet që edhe me këtë mënyre edhe me këtë veprim që ishte një masakër e vërtetë të ruhet jostabiliteti dhe të pamundësohet stabilizimi i mëtejshëm i Maqedonisë. Mund të ketë veprim të përbashkët me ndonjë shërbim të jashtëm por natyrisht që nuk kam dëshmi për një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG