Lidhje

Shqipëri-BE: nisin bisedimet për marrëveshjen mbi tregëtinë e lirë - 2003-07-16


Pasi ka nënshkruar marrëveshjet e Tregtisë së lirë me vendet e rajonit dhe së fundi edhe me Kosovën, Shqipëria nis të mërkurën bisedimet edhe me Bashkimin Evropian. Kjo çështje do të jetë në qendër të raundit të tretë teknik të bisedimeve për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit, i cili do të zhvillohet për dy ditë me radhë.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me BE-në është pjesë e procesit të stabilizim asocimit. Bisedimet rreth saj pritet të jenë të gjata dhe të vështira. Në takimet që do të zhvillohen këto ditë do të trajtohet kapitulli i “Produkteve Industriale” si dhe çështjet që kanë të bëjnë me kalendarin e liberalizimit të tregëtisë, produktet që do të përfshihen dhe hapat qe duhen ndërmarrë në këtë drejtim për të nxitur eksportet shqiptare.

Edhe të martën në mbledhjen e Komitetit ndërministror për Integrimin, kryeministri Nano ka kërkuar angazhimin e të gjithë institucioneve shqiptare për t’iu përgjigjur detyrimeve që rrjedhin nga procesi i Asociim-Stabilizimit.

Shqipëria shpreson ta përshpejtojë këtë proces, jo vetëm për shkak të raporteve të reja që BE-ja ka vendosur të ketë me vendet e rajonit të Ballkanit, pas takimit të nivelit të lartë të Selanikut, por edhe nga mbështetja që shpreson të marrë nga Italia, e cila ka tashmë presidencën e radhës së BE.

Paralel me takimet me ekspertët evropianë për marrëveshjen e asociimit, autoritetet financiare të vendit janë përfshirë në bisedime edhe me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Për 10 ditë, ky mision do të marrë në shqyrtim situatën ekonomiko-finaciare të vendit, ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria dhe realizimin e objektivave të përcaktuara në marrëveshjen me Shqipërinë.

Pjesë e rëndësishme e bisedimeve do të jetë vlerësimi mbi prodhimin e Brendshm bruto, situatën fiskale dhe reformat në administratën tatimore dhe doganore. Gjithashtu do të diskutohet edhe për ecurinë e procesit të privatizimit të Bankës së Kursimeve, kompanisë së sigurimeve Insig dhe asaj të telefonisë Albtelecom.

Drejtuesit e FMN-së kanë vlerësuar së fundi ecurinë e Shqipërisë, por kanë konstatuar se reforma strukturore është më e ngadaltë se parashikimi. Po ashtu sipas tyre edhe politika fiskale është penguar nga mbledhja e të ardhurave më e ulët. FMN-ja ka shpjeguar se përparësi mbeten heqja e barrierave administrative për investimet, përmirtësimi I qeverisjes dhe lufta kundër korrupsionit.

Megjithatë, në fillim të këtij muaji Fondi Monetar miratoi në parim rishikimin e dytë të programit për reduktimin e varfërisë dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Ky vendim i lejon Shqipërisë tërheqjen e rreth 6 milion dollarëve. Lëvrimi i kësaj shume u finalizua të martën, pasi edhe Banka Botërore miratoi pak ditë më parë rishikimin e raportit të saj për Shqipërinë.//kk//

XS
SM
MD
LG