Lidhje

Serwer: statusi do të arrihet përmes një procesi të bazuar mbi dialogun - 2003-07-17


Me nxitjen e komunitetit ndërkombëtar, Prishtina dhe Beogradi po shkojnë drejt fillimit të bisedimeve teknike që mund të përfshijnë çështje të tilla si kontrolli i kufijve, kthimi i refugjatëve, pronat shtetërore e të tjera. Eksperti me përvojë i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer thotë se fillimi i këtyre bisedimeve mund të jetë rruga për të shkuar tek negociatat për çështjen e statusit përfundimtar pas disa vjetësh. Zoti Serwer, i cili drejton studimet ballkanike në Institutin amerikan të Paqes në Uashington, thotë se statusi përfundimtar i Kosovës nuk do të vendoset në Uashington nga miqtë e shqiptarëve në Kongresin amerikan. Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, ai thotë se kjo do të arrihet përmes një procesi të të bazuar në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, kohët e fundit shikojmë një presion të madh mbi Prishtinën dhe Beogradin për të filluar bisedimet mbi çështjet teknike. Kush mendoni ju se qendron prapa këtij presioni, Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian?

Daniel Serwer: Mendoj se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për një gjë të tillë. I gjithë komuniteti ndërkombëtar ka rënë dakord se ka ardhur koha të fillohen bisedimet për këto çështje. Janë çështje urgjente që kanë të bëjnë me krimin dhe me korrupsionin, por veç kësaj, nga këndvështrimi politik, ata mendojnë se ka ardhur koha.

Zëri i Amerikës: A është Prishtina e përgatitur për këto bisedime kur dihet që Beogradi ka ekspertë që punojnë në këto fusha?

Daniel Serwer: Mendoj se Beogradi është diçka më mirë i përgatitur me ekspertë dhe Prishtina më pak e përgatitur, por kjo është më tepër një çështje politike. Udhëheqësit politikë të shqiptarëve kanë qenë shumë më pak të interesuar të fillojnë bisedime të tilla se sa kanë qenë serbët në përgjithësi, megjithëse qendrimet lidhur me bisedimet ndryshojnë shumë shpesh. Çëshja është se Prishtina ka nevojë të bëhet gati, të përgatiten mirë teknikisht por edhe të jenë më të unifikuar politikisht, pra duhet bërë e qartë se cilido që merr pjesë në këto bisedime, do të ketë mbështetjen e forcave kryesore politike të Kosovës.

Zëri i Amerikës: A mendoni se qëllimi i këtyre bisedimeve teknike është që të aktivizohet një plan për bisedimet lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, që është një çështje shumë më madhore?

Daniel Serwer: Nuk mendoj se komuniteti ndërkombëtar është gati për bisedimet e statusit por fillimi i këtyre diskutimeve për çështjet praktike është mënyra për të shkuar tek negociatat për çështjen e statusit përfundimtar pas disa vjetësh. Këtu nuk ka rrugë të shkurtër, statusi përfundimtar nuk do të vendoset në Uashington nga miqtë e Kosovës në Kongresin amerikan. Kjo nuk do të ndodhë. Kjo do të ndodhë përmes një procesi të peshuar mirë të bazuar në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Pra në shumë pikpamje, këto bisedime praktike janë fillimi i atij procesi dhe kurrsesi nuk mund të shmangen. Kjo është rruga që duhet të ndjekë Prishtina dhe mendoj se kur ata ta kuptojnë këtë si duhet ata do të përgatiten mirë ashtu siç ka filluar të bëjë edhe Beogradi.

Zëri i Amerikës: Çfarë përfitime praktike mund të kenë Prishtina dhe Boegradi nga këto bisedime?

Daniel Serwer: Mendoj se ka shumë përfitime praktike. Për shembull kontrabanda dhe përgjithësisht krimi dhe korrupsioni janë probleme serioze si në Serbi edhe në Kosovë. Nga bashkëpunimi mund të fitohet shumë. Serbia do të jetë gjithmonë fqinji më i madh dhe më i rëndësishëm i Kosovës. Ajo do të jetë kërcënimi më i madh për sigurinë e Kosovës por edhe partneri më i madh tregtar i Kosovës, qoftë si treg edhe si furnizues. Pra ka ardhur koha që të rregullohen disa gjëra në mënyrë që trafiku kufitar të kryehet me rrugë normale, ku të bllokohet trafiku i paligjshëm dhe të lehtësohet trafiku i ligjshëm.

Zëri i Amerikës: Ju vazhdimisht thoni se evropianët janë të aftë për të luajtur një rol drejtues në Ballkan, duke përfshirë edhe Kosovën, por kanë një problem kredibiliteti. Si mund ta zgjidhin ata këtë problem?

Daniel Serwer: Mendoj se ata duhet ta zgjidhin këtë duke kultivuar një sens më të mirë të qëllimit të përbashkët, një kontroll dhe komandë më të fortë, nëse do të përdornim këtë term ushtarak që në këtë rast mund të përdoret edhe në kuptimin politik. Evropa ende përbëhet nga shtete të veçantë sovrane dhe Havier Solana i ka duart shumë të lidhura në ato që mund thotë apo bëjë. Atij i duhet të kënaqë vendet e ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian. Pra i duhet të punojë edhe më tepër se sa ka punuar vitet e fundit, megjithëse më duhet të them se ai ka punuar me shumë këmbëngulje dhe ka patur shumë sukses në arritjen e disa pozicioneve të përbashkëta midis evropianëve. Ata duhet të mësojnë gjithashtu të shfrytëzojnë instrumentin ushtarak kur është i nevojshëm, qoftë për arësye psikologjike edhe për arësye institucionale. Pra mendoj se Shtetet e Bashkuara do të mbesin shumë të rëndësishme në këtë proces, qoftë në dialogun Beograd-Prishtinë për çështjet praktike edhe në çështjen e statusit përfundimtar. Mendoj se evropianët duhet ta përshëndesin këtë dhe Beogradi gjithashtu. Mirëpo nuk është e qartë nëse Uashingtoni, i cili tani është i preokupuar me Irakun, luftën kundër terrorizmit dhe çështje të tjera do të ketë energjinë dhe entusiazmin e duhur në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Natyrisht, shqiptarët kanë miq të fuqishëm në Kongresin amerikan, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë te shqiptarët një mik të fuqishëm në Ballkan. Sa mund të ndikojë ky faktor që të fillojnë bisedimet për statusin dhe që shqiptarët të fitojnë atë që kërkojnë?

Daniel Serwer: Është e vërtetë se shqiptarët kanë miq të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara por kjo nuk do të thotë se administrata amerikane do të përqafojë pikpamjen e shqiptarëve. Ka kongresmenë të veçantë që mbështesin pavarësinë e Kosovës, gjë që doli shumë qartë kohët e fundit në seancën e Kongresit me pyetje-përgjigje për Kosovën. Kongresmeni Tom Lantosh e shprehu shumë qartë një pozicion të tillë. Por në Kongres ka edhe pikpamje të tjera dhe këto pikpamje janë shumë kundër pavarësisë, ose të paktën kundër pavarësisë së një entiteti që nuk i trajton si duhet pakicat etnike. Këto pikpamje nuk janë dëgjuar dhe aq shumë në Kosovë, sepse njerëzit nuk duan t’i dëgjojnë ato. Mirëpo ato ekzistojnë dhe në një farë mase balancojnë mbështetjen që Kosova ka në Kongres. Por në fund të fundit, vendime të tilla nuk merren në Kongres, ato normalisht merren brenda administratës. Dhe po të shikojmë interesat e Shteteve të Bashkuara, dhe jo miqësitë, pra po të shikojmë interesat amerikane në Ballkan, ato nuk ekzistojnë vetëm në Kosovë por edhe në Serbi dhe Serbia është e madhe dhe e rëndësishme, ajo ka një rol të rëndësishëm për të gjithë Ballkanin. Kosovarët është e nevojshme të kuptojnë se në mentalitetin amerikan interesat janë një faktor me rëndësi. Në fund të fundit vendime të tilla do të merren bazuar mbi interesat se sa mbi ndjenjat.

Zëri i Amerikës: A mendoni se SHBA do të ngulin këmbë që në krye të administratës së OKB-së në Kosovë të jetë kësaj here një amerikan tani që zoti Shtajner është larguar nga ky post?

Daniel Serwer: Mendoj se Departamenti i Shtetit është i vendosur përfundimisht që të mos përpiqet të caktojë një amerikan në vend të Shtajnerit. Në disa segmente të qeverisë, sidomos në Departamentin e Mbrojtjes, ka njerëz që mendojnë se amerikanët do ta bënin punën më mirë se sa evropianët por pikpamja e tyre nuk është mbizotëruese. Nuk e di kush do të caktohet në vend të Shtajnerit por personi që do ta zëvendësojë do të jetë evropian dhe zëvendësi i tij do të vazhdojë të jetë amerikan.//ii

XS
SM
MD
LG