Lidhje

Washingtoni shqyrton mundësinë e një mandatë të OKB-së për trupat e koalicionit në Irak - 2003-07-19


Ndërkohë që vazhdojnë sulmet kundër ushtarëve amerikanë në Irak, Washingtoni po shqyrton mundësinë e një mandatë të Kombeve të Bashkuara për trupat e koalicionit në atë vend.

Si pasojë e shtimit të viktimave dhe kostos shumë të lartë për rindërtimin e Irakut, Washingtoni njoftoi dje se do të shqyrtojë mundësinë e një mandati të ri, që do t’i jepte Kombeve të Bashkuara një rol më të madh në përpjekjet paqëruajtëse dhe ato të rindërtimit të Irakut.

Disa vende, më së fundit Rusia, kanë thënë se janë gati të dërgojnë paqëruajtës dhe të ndihmojnë në rindërtimin e Irakut, por veëm me një mandat të Kombeve të bashkuara.

Zyrtarët thanë se një ushtar amerikan i divizionit të parë të forcave të blinduara të ushtrisë amerikane vdiq në orët e para të ditës së sotme në qendër të Bagdadit, kur trupat që ruanin një bankë u sulmuan me granada dhe armë të vogla.

Në një incident tjetër, një ushtar amerikan u plagos kur patrulla e tij u sulmua në periferi të Bagdadit.

Vdekja sot e ushtarit amerikan e çon në 149 numrin e përgjithshëm të trupave të vrarë që prej fillimit të luftës në Irak.

Trupat amerikane që ruajnë një bankë në Bagdad u sulmuan me armë të vogla dhe granada rreth orës 2 të mëngjesit. Një ushtar amerikan nga divizioni i parë i forcave të blinduara u plagos rëndë dhe u dërgua menjëherë në spital, ku më vonë vdiq.

Ky incident ndodhi vetëm disa orë pas një sulmi tjetër dje kundër anëtarëve të divizionit të katërt të forcave amerikane të këmbësorisë, rreth 100 kilometra në veri-lindje të Bagdadit.

Zyrtarë ushtarakë thanë se nga sulmi, gjatë të cilit u përdorën armë të vogla dhe granada, u plagos edhe një ushtar tjetër. Tre automjete të ushtrisë pësuan dëme të vogla nga të shtënat e armëve dhe të granadave.

//ze//

XS
SM
MD
LG