Lidhje

Më 6 tetor hapet Universiteti Amerikan i Kosovës - 2003-07-19


Më 6 tetor 2003 Universiteti Amerikan i Kosovës hap dyert për vitin e parë të studentëve të tij. Ky universitet premton t’u ofrojë studentëve një arsim të lartë të kalibrit amerikan dhe shpreson të bëhet një faktor i rëndësishëm në përpjekjet për ndërtimin e ekonomisë së Kosovës.

Hapja e Universitetit Amerikan të Kosovës shënon realizimin e një ëndrre të personave të angazhuar për ngritjen e këtij institucioni, thotë Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit për Universitetin Amerikan të Kosovës, Louis Sell. Kosova do të ketë tani Universitetin e saj Amerikan me një program të plotë mësimor në anglisht, për të përgatitur rininë e saj për shekullin e 21-të.

Universiteti amerikan i Kosovës është një institucion i arsimit të lartë me standarte të larta pranimi dhe përgatitjeje. Pjesa më e madhe e leksioneve do të jepen nga pedagogë amerikanë. Leksionet, pranimi dhe proceset administrative do të jenë në anglisht. Ky universitet do t’u ofrojë arsim cilësor të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinore apo fetare. Kriteri i vetëm për pranim do të jetë aftësia akademike që do të përcaktohet përmes provimit të pranimit.

Dr. Andrew Gridinsky, Drejtor i Planifikimit Akademik në këtë universitet vuri në dukje rëndësinë e këtij institucioni për zhvillimin e atmosferës akademike në Kosovë. “Një universitet amerikan, tha ai, nuk ofron vetëm njohuri. Synimi ynë është të aftësojmë studentët të zhvillojnë mendimin e vërtetë kritik dhe të mësojnë të paraqiten në një mënyrë profesionale. Arsimi universitar duhet t’i përgatisë studentët për jetën dhe programi ynë mësimor vë me forcë theksin në përgatitjen për karrierë. Ne duam të jemi pjesë e përpjekjeve për ndërtimin e ekonomisë në Kosovë dhe studentat tanë do të luajnë një rol kyç në këtë drejtim.”

Universiteti u ngrit nga Fondacioni për Universitetin Amerikan në Kosovë, një organizatë që funskionon si në Kosovë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, me synimin për të krijuar, mbështetur dhe për t’i ofruar një perspektivë të gjerë këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë. Fondacioni drejtohet nga një bord i përbërë nga figura të shquara nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosova.

Fillimisht universiteti do të ofrojë studime universitare 2-vjeçare në degët biznes, ekonomi dhe elektronikë. Në vitin e parë do të pranohen deri në 120 studentë. Numri i studentëve dhe do të shtohet pasi të përfundojë rinovimi i mjediseve të universitetit në periferi të Prishtinës. Synimi afat-gjatë është që, në bashkëpunim me universitetet partnere në Shtetet e Bashkuara, Universiteti Amerikan i Kosovës të shndërrohet në një institucion katër-vjeçar të arsimit të lartë me një gamë të plotë programesh dhe me diplomë të njohur si në Kosovë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.

Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në këtë universitet mund të marrin formularin e kërkesës për pranim në faqen elektronike në adresën www.rit.edu/aukadmin. Kostoja e studimeve për një vit është 5 mijë e 500 dollarë, që mund të paguhet në numrin e llogarisë së Fondacionit për Universitetin Amerikan të Kosovës në bankën Raiffeisen në Prishtinë. Ky universitet do t’u ofrojë të rinjve në Kosovë shansin të marrin një arsim universitar amerikan për një të katërtën e çmimit që do të paguanin në Shtetet e Bashkuara. Për të dhëna të mëtejshme të interesuarit mund të vizitojnë faqen elektronike të universitetit në adresën www.rit.edu/aukadmin.

//ze//

XS
SM
MD
LG