Lidhje

Ritme alarmante të përhapjes së virusit HIV/Sidës në Evropën Lindore - 2003-07-20


Evropa Lindore dhe Azia Qendrore vazhdojnë të shfaqin ritmet më të larta të përhapjes së virusit HIV dhe epidemisë së Sidës në botë. Në vitin 2002 u llogaritën 250 mijë raste të reja infeksionesh, duke e çuar në mbi 1 milion numrin e personave të prekur nga virusi HIV ose sëmundja e Sidës në këto rajone.

Dr. Olusoji Adeyi, specialist i shëndetësisë pranë Bankës Botërore, thotë se epidemia e Sidës ka prekur më rëndë Rusinë:

“Ndër vendet e prekura më rëndë përfshihen Federata Ruse, Ukraina, Bjellorusia,” thotë Dr. Adeyi.

Një raport i ri i Bankës Botërore përqëndrohet mbi gjendjen e Sidës në Bullgari, Kroaci dhe Rumani. Megjithëse numri i të prekurve nga Sida në Ballkan është ende relativisht i ulët, infeksionet nga virusi HIV kanë arritur përmasa alarmante ndër grupet më të rrezikuara, thotë Dr. Adeyi:

“Gjendja mund të cilësohet si epidemi, kur me këtë term nënkuptohet një gjendje kur shfaqen më shumë raste të një sëmundjeje ose infeksioni sesa mund të pritej zakonisht. Prandaj cilësohet si epidemi. Pa asnjë dyshim, gjendja është problematike,” thotë Dr. Adeyi.

Bullgaria, Kroacia dhe Rumania kanë kushte të ngjashme sociale që kanë çuar në rritjen e shpejtë të infektimeve nga virusi HIV. Këtu përfshihen luhatjet në cilësinë e shërbimit mjeksor, shtimi i përdorimit të drogës me shiringë dhe prostitucionit. Sfida më e madhe në përpjekjet për ndalimin e përhapjes së sëmundjes është se në përgjithësi popullata në këto vende nuk ndjehet e kërcënuar. Përhapja e infeksionit HIV shfaq ritme të ulëta në radhët e popullsisë që nuk përfshihet në grupet më të rrezikuara si përdoruesit e drogës ose prostitutat. Kjo e vështirëson ndërgjegjësimin e publikut për potencialin e një përhapje të mëtejshme të sëmundjes. Për më tepër, ekziston edhe stigma që ul gjasat që grupet e rrezikshmërisë së lartë të tërheqin vëmendjen e qeverisë.

Studiuesit e Bankës Botërore po u bëjnë thirje qeverive në Ballkan të shtojnë informimin e publikut lidhur me format e transmetimit të virusit HIV dhe Sidës. Siç u shpreh Dr. Adeyi, “Banka Botërore është e angazhuar për të ndjekur politika efektive dhe për të ndërhyrë në mënyrë që të pengohet përhapja e epidemisë në këtë rajon.” //ad//

XS
SM
MD
LG