Lidhje

Kryeministri Nano cakton kandidatët për dy vendet bosh në qeveri - 2003-07-22


Emri i deputetit Marko Bello për postin e Ministrit të Jashtëm doli në skenë që mbrëmë vonë, pasi formula e parë e menduar nga kryeministri dështoi, për shkak të refuzimit të ministrit të mbrojtjes Pandeli Majko, që të vihej në krye të diplomacisë. Tërheqja e tij la jashtë edhe zotin Namik Dokle, i parashikuar për postin e zëvendëskryeministrit.

Kreu i qeverisë, duke mos dashur të bëjë lëvizje të tjera në kabinetin e tij, ka gjetur zgjidhjen, duke i dhënë dy poste deputetes Ermelinda Meksi: atë të numrit dy të qeverisë dhe Ministrinë e Integrimit. Zonja Meksi vjen pas një eksperience të gjatë në disa kabinete socialiste. Së fundi ajo ka qenë Ministre e Ekonomisë dhe e Bashkëpunimit me Jashtë.

Ndërsa zoti Marko Bello, ish-diplomat në vitet ’90, qëndroi për disa muaj si Ministër i Integrimit vitin e kaluar.

Propozimet e kryeministrit Nano kaluan pa shumë probleme në kryesinë e partisë, ku hasi në qëndresën e vetëm 2-3 anëtarëve të njohur si mbështetës së zotit Meta. Ky i fundit, pas dorëheqjes edhe nga kryesia, nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme dhe as në grupin parlamentar.

Deputetët socialistë, në pjesën dërrmuese, mbështetën zgjidhjen e ofruar nga kryeministri. Në ndryshim nga ç’mund të pritej, nuk ka patur ndonjë kundërshtim në front të gjerë dhe vetëm pak zëra mbështetës së zotit Meta, kërkuan ripërbërje të qeverisë, apo shfaqën kritika ndaj saj. Ndërsa dy deputetët u shprehën se do të votojnë kundër.

Sekretari i Përgjithshëm Gramoz Ruci deklaroi pas mbledhjes, se si kryesia, ashtu dhe grupi parlamentar, i dhanë mandatin kryeministrit që të paraqesë kandidaturat e ministrave të rinj pranë Presidentit të Republikës. Edhe zoti Nano deklaroi se ajo që kishte ndodhur, ishte vetëm një proces zëvendësimesh dhe se nuk bëhej fjalë për krizë:

“ Unë shpreh qetësinë dhe angazhimin për të ruajtur dhe rritur më tej ritmin e punës së qeverisë, për të konsoliduar arritjet dhe për të garantuar plotësimin e objektivave të vitit, të negociatave dhe ecurinë e reformave të programuara për 2003”,-tha kryeministri Nano.

Pritet që kryeministri Nano t’i dërgojë që sot në presidencë emrat e rinj, në mënyrë që ato të kalojnë në parlament sa më shpejt.// lk //

XS
SM
MD
LG