Lidhje

A është Amerika një perandori? - 2003-07-24


Amerikanët janë tepër të ndjeshëm në se vendi i tyre quhet një perandori. Në fund të fundit, a nuk u ngritën të parët e amerikanëve kundër Perandorisë Britanike? A nuk e denoncoi presidenti Reagan Bashkimin Sovjetik si Perandoria e së keqes?

Por pa marrë parasysh nëse u pëlqen amerikanëve apo jo, shumica e njerëzve në botë, duke mos veçuar këtu edhe disa aleatë, e shohin Amerikën si një perandori. Në një konferencë të mbajtur kohët e fundit në Institutin Heritage në Washington, dy studiues sollën pikëpmajet e tyre në se Amerika është, apo duhet të jetë një perandori.

Ç’do do të thotë perandori? Kjo fjalë na sjell parasysh ushtarë romakë që parakalonin para Cezarit. Ose fjala “perandori” të sjell ndër mend shtrirjen globale të Perandorisë Britanike në shekullin 19. Për shkak të shtrirjes së saj të gjerë, thuhej se në Perandorinë Britanike dielli nuk perëndonte kurrë.

Fjalori i Oxfordit fjalën perandori e përcakton si: “bashkim shtetesh nën një autoritet apo qeveri”. Por për autorin e librit “Perandoria: Ngritja dhe Rënia e Rendit Botëror Britanik dhe Leksione për Fuqinë Globale”, Niall Ferguson, për momentin, fjala perandori i përshtatet më së miri Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Forca ushtarake, ekonomike dhe kulturore e Shteteve të Bashkura ka të gjitha tiparet e perandorive të kaluara. Po të merren në konsideratë këto tri shtylla të fuqisë, perandoria amerikane është shumë më e fuqishme edhe se perandoria britanike në kulmin e saj, por ajo që i dallon të dyja është se amerikanët nuk dëshirojnë të besojnë në ekzistencën e kësaj perandorie.” Zoti Ferguson thotë se duke pasur parasysh historinë e Shteteve të Bashkuara, refuzimi për të pranuar ekzistencën e kësaj perandorie është i kuptueshëm për amerikanët. Mospranimi se roli aktual amerikan në botë, është i ngjashëm me atë të një perandorie, ka shkaktuar disa mosmarrveshje. Një nga këto është se si ndërmerren operacionet ushtarake. Shtetet e Bashkuara, thotë zoti Ferguson, mendojnë se mund të shkojnë në çdo vend, të zhvillojnë një luftë dhe pastaj të tërheqin trupat pas një kohe të shkurtër.

Por studiuesi Robert Kagan i Institutit Carnegie është i një mendimi tjetër. Vëmendja e shkurtër që i kushton Amerika vendeve ku ka ndërhyrë ushtarakisht dhe mosinvestimi i kohës dhe fondeve të nevojshme në këto vende është vëretetë një problem, shton ai. Por megjithatë thotë analisti Kagan, gjithë ky pushtet nuk e bën Amerikën një perandori.

“Unë mendoj se mund të shihet qartë se çfarë është e çfarë nuk është imperializmi. Amerika nuk është perandori edhe pse në disa aspekte ka pasur me tepër ndikim se ç’ka pasur ndonjë perandori ndonjëherë. Pra unë do të thoja se suksesi i politikës së jashtme amerikane mund të kërkohet në faktin se ndikimi amerikan është pranuar gjithkund pa frikë sepse është ditur gjithmonë se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë pasur ambicie imperialiste.” Zoti Kagan thotë se kohërat e perandorive kanë kaluar. Populli amerikan dhe popujt e vendeve të tjera nuk e pranojnë perandorinë si qëllim i politikës së jashtme, por Shtetet e Bashkuara duhet ta bindin botën se aksionet e saj nuk kanë qëllime imperialiste por kanë për qëllim interesin e përbashkët.

Por si mundet që Shtetet e Bashkuara e sulmojnë Irakun dhe të mos quhen perandori? Zoti Ferguson thotë se Amerika duke e mashtruar veten në këtë menyrë, mund ta dobësojë rolin e saj në botë.

A është prania e ushtrisë amerikane në Afganistan, Irak dhe në disa vende tjera në botë shenjë e një perandorie? Kjo pyetje, thonë te dy studiuesit do të vazhdojë të debatohet, përderisa Amerika të vazhdojë jetë superfuqia e vetme në botë.//kk//

XS
SM
MD
LG