Lidhje

Edhe 4 ushtarë të tjerë amerikanë vriten në Irak - 2003-07-27


4 ushtarë amerikanë u vranë të shtunën në Irak, duke mbyllur kështu javën më të përgjakshme për ushtarët amerikanë atje, që nga dita kur Uashingtoni shpalli përfundimin e luftimeve kryesore më 1 maj.

Tre ushtarë u vranë dhe 4 u plagosën nga një sulm me granata, ndërkohë që ata bënin roje jashtë një spitali për fëmijë në Baquba, në verilindje të Bagdatit. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se një ushtar i katërt u vra dhe dy të tjerë u plagosën në një sulm tjetër kundër një autokolone në perëndim të kryeqytetit irakian.

Kjo e ngre në 9 numrin e ushtarëve amerikanë të vrarë në Irak, që nga e marta, kur trupa të Shteteve të Bashkuara vranë dy djemt e Sadam Huseinit në qytetin verior Mosul. Këto vrasje errësuan kapjen e disa personave që mendohet të kenë qenë roje personale të diktatorit të përmbysur irakian, Sadam Husein.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara konfirmoi sulmet e para ndaj ushtarëve të Divizionit të Katërt të Këmbësorisë, të cilët bënin roje në një spital për fëmijë në Baqouba, në verilindje të Bagdatit.

Qyteti Baqouba ka qenë skenë e disa sulmeve të tjera kundër forcave amerikane. Ai gjendet në qendër të rajonit të myslimanëve suni, që kanë qenë mbështetja më e madhe për Sadam Huseinin.

Autoriteti i Përkohshëm i koalicionit kishte paralajmëruar se sulmet mund të shtohen, pasi trupat amerikane vranë dy djemt e Sadam Huseinit të martën, në qytetin Mosul, në pjesën veriore të Irakut. Një grup i vetëquajtur Fedajinët e Sadamit është zotuar se do të hakmerret për vrasjen e tyre. Por zyrtarë amerikanë thonë se më së fundi, asgjësimi i dinastisë së Sadamit, do t’i japë fund fushatës së gueriljeve kundër forcave të koalicionit.

Ndërkohë, forcat e koalicionit njoftuan të shtunën se pas marrjes së një informacioni, mundën të kapin 13 persona në rrethinat e qytetit të lindjes të Sadam Huseinit, Tikrit. Zyrtarët janë të mendimit se disa prej të arrestuarve mund të jenë roje personale të Sadam Huseinit.

Zyrtarët thonë gjithashtu se një numër gjithnjë e më i madh irakianësh janë duke ardhur me informacion mbi vendndodhjen e mundshme të ish-udhëheqësit irakian në arrati.//xh//

XS
SM
MD
LG