Lidhje

Kryeministri Nano përpiqet të shmangë përplasjen direkte me rivalin politik Meta - 2003-07-31


Kryeministri Fatos Nano duket se kërkon të shmangë përfshirjen në një përplasje direkte me rivalin e tij politik ilir Meta dhe deputetët që e përkrahin atë. Së pari sepse një situatë e tillë do të fuste partinë në një vorbull konfliktesh që duke u shtrirë edhe në strukturat e bazës do ta dëmtonin partinë e tij përpara zgjedhjeve vendore.

Së dyti, edhe për t’i dhënë vetes imazhin e atij që nuk futet në konflikte personale, duke dashur ta mbajë këtë çështje në nivele parimore të mbrojtjes së partisë dhe garantimin e fitores në votimet e tetorit.

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, duket se do të veprojë në hije duke i kundërvënë kundërshtarëve të tij strukturat e partisë. Siç ndodhi dy ditë më parë kur një valë peticionesh dhe telegramesh nga rrethet u derdhën në kryeqytet për të treguar mbështetjen ndaj kryetarit të partisë.

Jo më kot zoti Nano është kapur fort pas interpretimit të faktit që votat e përkrahësve të zotit Meta u bashkuan me ato të opozitës së Sali Berishës:

“Cili është morali politik i këtyre deputetëve që heqin dorë nga mandatet e mbrojtjes politike dhe ekzekutive të pushtetit dhe zgjedhësve të tyre, hedhin baltë mbi anëtarësinë socialiste dhe votojnë përkrah opozitës për të rrëzuar qeverinë e mazhorancës?”, tha ai.

Një akuzë të cilën të mërkurën zoti Meta e hodhi poshtë duke sulmuar zotin Nano për flirte me liderin e Partisë Demokratike.

Të enjten duke folur përpara drejtuesve lokalë të partisë së tij, zoti Nano i ftoi përkrahësit e zotit Meta që të mendojnë të kontribuojnë në fitoren e zgjedhjeve, ndërsa u kërkoi strukturave të partisë të shmangin konfliktet e brendshme:

“Në emër të solidaritetit programor e progresist, në emër të përshpejtimit të transformimeve dhe reformave të integrimit europian të Shqipërisë, të qëndroni larg konflikteve të brendshme, të shmangni e mënjanoni sherrxhinjtë nga ndikimi në programin dhe veprimin tonë politik dhe elektoral, të përqendrohemi tërësisht, pa i mbyllur derën askujt, në realizimin me sukses të objektivit themelor, fitoren e zgjedhjeve vendore në qeverisjen lokale”, tha ai.

Kryeministri Nano i paralajmëroi kundërshtarët e tij, se do të mbanin përgjegjësi nëse do të dëmtonin fitoren e partisë në votimet e 12 tetorit:

“Si kryetar i partisë mbetem i bindur se ethet e parakohshme amorale kongresuale nuk duhen lejuar të dëmtojnë më fitoren e zgjedhjeve nga PS Në të kundërt duhet të garantoj në emrin tuaj dhe të anëtarësisë do t’i japë secilit shpërblimin e merituar që duhet të marrë apo paguajë”.

Një ditë më parë zoti Meta lëshoi akuza të rënda ndaj kryeministrit. Ai foli për uzurpim dhe absolutizim të pushtetit dhe partisë nga ajo që e cilësoi si banda e Fatos Nanos. Sipas zotit Meta, kryeministri është rrethuar nga një grup stalinistësh dhe përfaqësuesish të krimit ekonomik që kërkojnë të monopolizojnë gjithë pushtetin.//kk//

XS
SM
MD
LG