Lidhje

Grupi Hezbollah hap zjarr matanë kufirit në Izrael, mbetet një i vrarë - 2003-08-10


Aeroplanë luftarakë izraelitë kryen sot sulme në Libanin jugor, disa orë pasi zjarri i artilerisë së milicisë Hezbollah në Libanin jugor goditi një qytet në Izraelin verior, duke shkaktuar një të vrarë dhe të paktën 4 të plagosur. Nuk pati njoftime të menjëhershme rreth viktimave të sulmeve ajrore.

Po sot, në një deklaratë të grupit Hezbollah thuhet se luftëtarët e tij hapën sot zjarr me predha kundër-ajrore ndaj aeroplanëve luftarake izraelitë, që po fluturonin në hapësirën ajrore të Libanit. Izraeli tha se predhat anti tanke shkaktuan vdekjen e civilit në qytetin Shlomi.

Të premten, për herë të parë në 6 muaj, Izraeli dhe guerriljet Hezbollah shkëmbyen zjarr artilerie në rajonin e Fermave Shebaa, për të cilin kanë pretendime territoriale të dyja palët.

Zyrtarë izraelitë thanë se Hezbollahu hapi zjarr kundër qytetit Shlomi në rajonin perëndimor të Galilit në Izrael. Ky është sulmi i katërt i njoftuar matanë kufirit nga Hezbollahu që prej të premtes dhe i pari që shkakton viktima.

Ministri i jashtëm izraelit, Silvan Shalom, reagoi me zëmerim ndaj sulmit të fundit. Ai paralajmëroi se izraelitët do të detyrohen të mbrojnë veten në rast se Siria, e cila shikohet si fuqi kryesore ndërmjetësuese në Liban, dhe qeveria libaneze nuk arrijnë të ndalojnë Hezbollahun që të mos kryejë sulme të tjera.

Izraeli paraqiti gjithashtu një notë proteste në Kombet e Bashkuara, në të cilën thoshte se është absurde që Siria, vend që mbështet grupin Hezbollah, shërben aktualisht si kryetare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Dan Gillerman, paralajmëroi OKB-në se veprimet e guerriljeve Hezbollah në Libanin jugor po shtojnë tensionet në Lindjen e Mesme dhe po dëmtojnë përpjekjet për arritjen e një paqeje të gjithanshme në rajon.

//ze//

XS
SM
MD
LG