Lidhje

Ndikimi i votimit në Kaliforni në politikën amerikane - 2003-08-15


Tërmetet nuk janë një fenomen i ri në Kaliforni. Por shumë pak njerëz mund të kenë parashikuar tërmetin politik, që po trondit tani shtetin e artë, ndërkohë që votuesit vendosin në se ta zëvëndësojnë apo jo guvernatorin Gray Davis me njërin prej 135 kandidatëve, përfshirë edhe kandidatit më popullor, aktorin e Hollivudit, Arnold Schwarzeneger.

Shumë republikanë e shikojnë zëvëndësimin e guvernatorit demokrat, Gray Davis, nga republikani Arnold Schwarzeneger si një shtytje ndoshta të madhe për presidentin Bush për të fituar në Kaliforni në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

David Gergen është një strateg me përvojë në fushën politike e atë të komunikimit, i cili ka këshilluar presidentë nga të dyja partitë. “Sikur posti i guvernatorit të ishte në duart e republikanëve dhe zoti Schwarzenegger të gëzonte mbështetje, kjo do të ndihmonte presidentin Bush të fitonte në Kaliforni dhe nëse zoti Bush fiton Kaliforninë, ai do ta ketë të sigurtë fitoren, ose të paktën do të dukej kështu” thotë zoti Gergen.

Arsyeja për këtë është se Kalifornia ka qenë një bazë e fortë për demokratët gjatë viteve të fundit. Ky shtet mbështeti fuqishëm Al Gorin në zgjedhjet e vitit 2000 dhe Bill Clintonin në dy zgjedhjet e mëparshme presidenciale.

Në fakt, është vështirë të mendohet që një kandidat demokrat të fitojë presidencën pa fituar në Kaliforni. Por edhe nëse Arnold Schwarzenegger fiton zgjedhjet e 7 tetorit në Kaliforni, jo të gjithë janë të bindur se një fitore e tillë do të ishte lajm i mirë për presidentin Bush dhe partinë republikane.

Stuart Rothenberg është analist i pavarur politik me seli në Washington. “Arnold Schwarzeneggerit do t’i duhet të flasë shumë rreth çështjeve të ndryshme dhe nuk jam i sigurtë nëse Partia Republikane ose George W. Bushi do të jenë në pozita më të mira sesa tani në Kaliforni. Pra fitorja e Schwarzeneggerit në Kaliforni nuk do të thotë se do të përmirësojë medoemos shanset e presidentit Bush për të fituar në Kaliforni”, thotë analisti.

Por rreziqet janë ndoshta më të mëdha për demokratët. Mbi të gjitha, nëse Gray Davis zëvëndësohet nga një republikan, demokratët nuk do të kontrollojnë më zyrën e guvernatorit në shtetin më të madh amerikan, për të cilin ata kanë shumë nevojë të fitojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Bill Sandalow është krye-redaktor i gazetës San Francisco Chronicle. “Kalifornia është një bastion për Partinë Demokrate. Ky është shteti, ku demokratët gëzojnë mbështetjen më të madhe. Nëse demokratët e humbasin postin e guvernatorit, atyre do t’u duhet të riorganizohen”

Përveç ndikimit të menjëhershëm ndaj për dy partitë e mëdha politike, zgjedhjet për shkarkimin eguvernatorit në Kaliforni mund të nxisin votime të tilla edhe në shtete të tjera.

Gray Davis shpreson se nuk do të bëhet guvernatori i dytë në historinë amerikane që shkarkohet me anë të votave. Guvernatorja e Dakotës së Veriut, Lynn Frazier, u zëvëndësua në vitin 1921, por u zgjodh në senatin amerikan pas një viti.

Në historinë e Kalifornisë janë bërë 32 përpjekje për mbajtjen e zgjedhjeve për të shkarkuar guvernatorin, por përpjekja e këtij viti është e vetmja që po përfundon në votim.

Ndërsa shumica e shteteve lejojnë që legjislaturat e tyre të hapin procedurat për shkarkimin e guvernatorit, Kalifornia është mes vetëm 18 shteteve amerikane, ku lejohet mbajtja e zgjedhjeve për shkarkimin e zyrtarëve shtetrorë.

//rd//

XS
SM
MD
LG