Lidhje

Ndërprerja e energjisë elektrike, më e madhja në historinë e Amerikës Veriore - 2003-08-15


Furnizimi me rrymë elektrike ka filluar të kthehet në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara dhe në Kanada, por problemet e shkaktuara nga ndërprerja e rrymës vazhdojnë edhe sot në pjesën qëndrore të Amerikës.

Njoftohet se ndërprerja e djeshme e shërbimit elektrik që preku rreth 50 milionë banorë, ishte më e madhja në historinë e Amerikës Veriore. Zyrtarë amerikanë thonë se nuk ka të dhëna të ketë qenë pasojë e ndonjë veprimi terrorist, por ende nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim zyrtar.

Shtëpitë dhe bizneset ishin pa rrymë elektrike edhe sot në shtetin e Miçiganit, ku shërbimi u ndërpre për mbi 12 milionë banorë. Guvernatorja e Miçiganit tha se shërbimi i plotë elektrik mund të mos kthehet deri në fund të javës.

Në shtetin e Ohajos, zyrtarët thanë se furnizimi me rrymë ka rifilluar në pjesën më të madhe të zonave. Mirëpo, autoritetet paralajmëruan banorët se edhe rezervat e ujit të pijshëm janë prekur nga ndërprerja e elektricitetit.

Rryma filloi të kthehet gradualisht sot në mëngjes në qytetin e Nju Jorkut. Kryetari i bashkisë së qytetit, Majkëll Blumberg, tha se nuk ka pasur viktima nga ndërprerja e rrymës dhe vlerësoi lart përpjekjet e policisë dhe të punonjësve të emergjencës.

Në provincën kanadeze të Ontarios, shërbimi elektrik është kthyer sot në shumë zona, ndërkohë që zyrtarët punojnë për rifillimin e funksionimit normal të rrjetit elektrik.

Presidenti Bush tha se ndërprerja e rrymës elektrike vë në pah nevojën për modernizimin e rrjetit të vjetëruar elektrik të vendit. Presidenti Bush tha se mund të duhet një kohë e gjatë për të gjetur shkakun e difektit në një pjesë kaq të madhe të rrjetit elektrik. Por, kur të bëhet kjo gjë, theksoi ai, zyrtarët do të punojnë për zgjidhjen e problemit.

“Kjo ishte si thirrje për të gjetur problemin. Kam qenë i shqetësuar, tha presidenti, se infrastruktura jonë është tepër e vjetëruar dhe mendoj se ajo që ndodhi dje vë në pah nevojën për modernizimin e rrjetit elektrik”.

Presidenti Bush tha se ndërprerjet e furnizimit me rrymë elektrike janë një rast i volitshëm për të gjetur problemet në sistemin amerikan të shpërndarjes së elektricitetit dhe për të gjetur rrugët për ndreqjen e tyre. Ai kërkon që të merren masa me qëllim që kur të ndodhin ndërprerje të tilla, të preket një numër më i vogël njerëzish.

Presidenti Bush tha se zyrtarë federalë po punojnë me zyrtarë shtetërorë dhe vendorë për mbështetjen e përpjekjeve për kthimin e shërbimit të plotë elektrik.

Presidenti tha se është i kënaqur me mënyrën se si është përballur gjendja deri tani dhe shtoi se nuk mendon që reagimi do të kishte qenë më i mirë para sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Shumë përmirësime në gatishmërinë për raste emergjente janë bërë pas sulmeve, përfshirë modernizimin e sistemit të komunikimit midis zyrtarëve vendorë, shtetërorë dhe atyre federalë.

//rd//

XS
SM
MD
LG