Lidhje

Kryeministri Sharon: shteti izraelit ka vendosur t’i vrasë udhëheqësit e Hamasit - 2003-09-07


Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, tha se shteti izraelit ka vendosur t’i vrasë udhëheqësit e grupit ekstremist palestinez, Hamas.

Në një intervistë, kryeministri Sharon tha se Izraeli do të vazhdojë të kërkojë dhe të vrasë udhëheqësit e Hamasit dhe nuk do t’i japë këtij grupi asnjë moment qetësi.

Paralajmërimi i zotit Sharon gjatë intervistës së botuar në gazetën izraelite, Yediot Ahronot, u bë një ditë pas një përpjekjeje të dështuar izraelite për të vrarë udhëheqësin shpirtëror të grupit Hamas, sheikun Ahmed Yassin.

Sheiku Yassin dhe 15 persona të tjerë u plagosën lehtë kur një aeroplan izraelit hodhi një bombë 250 kilogramëshe mbi një ndërtesë apartamentesh në qytetin e Gazës.

Hamasi u shpreh se me këtë sulm Izraeli “ka hapur dyert e ferrit” dhe paralajmëroi se përgjigja e tij do të jetë e “një lloji që Izraeli nuk e ka parë ende.”

Izraeli tha se sulmi kishte për qëllim të vriste zyrtarë të Hamasit, të cilët ishin mbledhur për të planifikuar sulme terroriste.

Pas shpërthimit, Izraeli shtoi menjëherë masat e sigurimit. Forcat e sigurimit mbyllën sot kufijtë e Izraelit me Bregun Perëndimor dhe me Gazën dhe shtuan praninë e tyre në zona publike, ndërkohë që shteti hebraik përgatitet për sulme të pritshme hakmarrëse nga grupi ekstremist Hamas.

//ze//

XS
SM
MD
LG