Lidhje

Holkeri: bisedimet Prishtine-Beograd mund te fillojne se shpejti - 2003-09-09


Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Harri Holkeri tha se bisedimet e para midis autoriteteve serbe dhe udhëheqësve të shqiptarëve mund të fillojnë gjatë pak javëve të ardhëshme.

Zoti Holkeri tha se shpreson t’i shpallë hollësitë në të ardhmen e afërt. Ai i bëri komentet sot në Bruksel, pas bisedimeve me shefin e politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.

Ndërkohë, Komisioneri evropian për punët e jashtëme, Chris Patten do të vizitojë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin.

Ai do të takohet me shefin e UNMIK-ut Holkeri, me drejtuesit e institucioneve vendore dhe me figura të tjera politike të Kosovës. Për herë të parë ai do të mbajë një fjalim në Parlamentin e Kosovës.

Në prag të vizitës, komisioneri Patten tha se përsa i përket Kosovës, ”është nevojë urgjente që të qendrohet larg veprimeve provokative, siç është marrja e pozicioneve lidhur me statusin përfundimtar.”

Ai theksoi nevojën për t’u përqendruar te fillimi i një dialogu konstruktiv midis Prishtinës dhe Beogradit sa më shpejt që të jetë e mundur për çështje të interesit të përbashkët.

Ai tha se tensionet etnike nuk duhet lejuar të shkatërrojnë përparimin politik dhe ekonomik të arritur në Kosovë.//ik

XS
SM
MD
LG