Lidhje

Presidenti Bush thotë se po ndjek një “strategji të qartë” - 2003-09-13


Presidenti Bush thotë se po ndjek një “strategji të qartë” për të shkatërruar terroristët dhe për të konsoliduar demokracinë në Irak.

Presidenti Bush tha në fjalimin e tij të përjavshëm në radio se forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndjekin besnikët e Sadam Huseinit dhe terroristët e huaj në Irak.

Presidenti tha se zyrtarët amerikanë po bëjnë hapa përpara “me një plan konkret për t’i kthyer sovranitetin dhe autoritetin popullit të Irakut”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të kërkojnë përkrahje ndërkombëtare për rindërtimin e Irakut. Presidenti Bush tha gjithashtu se ndërhyrja ushtarake amerikane në Irak ka ndihmuar që Shtetet e Bashkuara të jenë më të sigurta nga sulme terroriste.

Por demokratët nuk janë dakord. Në fjalimin e përjavshëm demokratik në radio, anëtarja e Kongresit Jane Harman e Kalifornisë citoi një raport të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizatë asnjanëse, ku thuhet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë “të papërgatitura” për të përballuar një sulm tjetër terrorist.

Ajo tha se administrata e Presidentit Bush ka vepruar ngadalë për përmirësimin e komunikimeve të emergjencës dhe për të krijuar një listë të terroristëve të mundshëm, që do të ndihmonte për të mos lejuar terroristët të hynin në vend. Ajo tha po ashtu se Departamenti i ri i Sigurisë Kombëtare nuk ka staf dhe fonde të mjaftueshme.

Zonja Harman është demokratja kryesore në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.//kk//

XS
SM
MD
LG