Lidhje

Evropa Lindore, Azia Qendrore, zonat ku SIDA po perhapet me shpejt ne bote - 2003-09-16


Evropa Lindore dhe Azia Qendrore janë rajonet ku virusi HIV dhe sëmundja e SIDA-s po përhapen më me shpejtësi në botë. Në këtë përfundim ka arritur Banka Botërore e cila publikoi të martën një raport mbi rrugët e parandalimit të përhapjes të epidemisë në këto zona.

Në një konferencë shtypi në Washington, specialistët e Bankës Botërore thanë se shqetësimet më të mëdha lidhen me aftësitë parandaluese të kufizuara, me tabutë morale që duhen përmbysur dhe me shkallën e angazhimit politik dhe shoqëror në vendet e këtyre zonave, por edhe me gjendjen e tyre ekonomike.

Në vitin 2002 sipas të dhënave të Bankës Botërore në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, pati rreth 250 mijë raste të reja me infektime, duke e çuar në 1,2 milionë numrin e njerëzve me HIV dhe Sida në rajon.

Olusoji Adeyi, kryespecialist i shëndetit në Sektorin e Zhvillimit Njerëzor për Evropën dhe Azinë Qendrore tha se ndër faktorët që kontribuojnë janë paqendrueshmëria, tregëtia e seksit dhe qenieve njerëzore si edhe e drogës përmes kufijve, mungesa e ndërgjegjësimit dhe mohimi që i bëhet gjendjes së epidemisë në këto vende.

Zoti Adeyi tha se gjendja në Evropën Lindore nuk është aq e rëndë sa në Azinë Qendrore, megjithatë ka shifra shqetësuese për rritjen e rasteve. Në raport mungonin të dhënat për numrin e rasteve në Shqipëri, por zoti Adeyi tha se si në vende të tjera në rajonin e Evropës Juglindore, hapja e kufijve, trafiku njerëzor, tregëtia e seksit, luftrat në rajon e ekspozojnë Shqipërinë me rrezikun e përhapjes së epidemisë.

Ai shtoi se gjendja bëhet më delikate pasi Shqipëria është mes rrugëve ku kalojnë trafiqet nga Lindja në Perëndim të Evropës. 30 për qind e atyre që merren me tregëtinë e seksit në Shqipëri, tha ai, përdorin drogë përmes shiringave, një nga faktorët që mund të ndikojnë më shumë në përhapjen e sëmundjes.

Zoti Adeyi dhe specialistët e tjerë thanë se Shqipëria si të gjitha vendet e rajonit ka ndihmën e Bankës Botërore për të trajtuar këtë problem dhe kontrolli i HIV-it dhe Sidës është i përfshirë në Projektin për Mbështetjen për Uljen e Varfërisë në Shqipëri. Duke folur edhe për vendet e tjera, specialistët thanë se bashkëpunimi mes vendeve të rajonit është shumë i rëndësishëm.

Përsa i takon gjithë Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, specialistët mendojnë se aty po përjetohet e njëjta gjendje si në pjesët e tjera të botës që vuajnë krizën e Sidës, mohimi i problemit. Po ashtu ata thonë se ka një hendek mes deklarimit të gjendjes dhe punës në terren për parandalimin e epidemisë çka është edhe synimi kryesor i Bankës Botërore dhe agjencive të tjera botërore për këtë rajon.//kk//

XS
SM
MD
LG