Lidhje

Si do të ndikojë çmimi Nobel për një iraniane, tek reformat në vendin e saj? - 2003-10-12


Juristja iraniane Shirin Ebadi fitoi çmimin e paqes për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendin e saj, veçanërisht ato të grave, fëmijëve dhe refugjatëve. Por çfarë ndikimi mund të ketë çmimi që ajo mori tek reformatorët e vendit të saj? “Ne shpresojmë që populli i Iranit të ndjehet i lumtur që për herë të parë në histori, i jepet çmimi Nobel për paqe një prej qytetarëve të tij. Dhe shpresojmë që çmimi të jetë një frymëzim për të gjithë ata që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në vendin e saj, në botën myslimane dhe në të gjitha vendet ku lufta për të drejtat e njerit ka nevojë për frymëzim dhe përkrahje”.

Kështu e shpjegoi kryetari i Komisionit Nobel në Norvegji Ole Danbolt Mjoes motivacionin e dhënies së çmimit Nobel 56 vjeçares Shirin Ebadi.

Zonja Ebadi ishte një nga gjykatëset e para gra në Iran në vitin 1974, por u detyrua të jepte dorëheqjen pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Klerikët radikalë myslimanë që morën nën kontroll vendin thanë se një grua nuk mund të drejtonte një trup gjykues.

Që atëherë, zonja Ebadi ka luftuar për të drejtat ligjore të grave dhe fëmijëve në Iran dhe është burgosur për një kohë të shkurtër për punën e saj.

Zonja Ebadi ka thënë gjithmonë se tek Islami nuk ka asgjë të papërputhshme me konceptet e perëndimore të të drejtave të njeriut. Ajo foli përmes një përkthyesi: “Për 20 vjet unë u përpoqa të tregoj se ishte e mundur të jesh mysliman dhe njëkohësisht të kesh një legjislacion që bashkëjeton me të drejtat e njeriut”.

Të premten në një konferencë shtypi në Paris, zonja Ebadi i bëri gjithashtu thirrje qeverisë së Iranit që të respektojë të drejtat e njeriut dhe të lirojë të gjithë të burgosurit politikë.

Analistët brenda dhe jashtë Iranit thonë se nderimi që iu zonjës Ebadi duhet t’i japë energji lëvizjes reformatore në Iran.

Ali Reza Nourizadeh që drejton qendrën për Studime Iraniane dhe Arabe në Londër, thotë se tani reformatorët mund t’u kërkojnë konservatorëve lëshime duke thënë se ata vlerësohennë disa fusha.

Por megjithatë nuk e përjashton mundësinë e disa reagimeve të ashpra nga ana e klerikëve radikalë:

“Jam i sigurt që do të ketë reagime. Deri tani, ata e shihnin zonjën Ebadi dhe të tjerë si njerëz me prirje perëndimore dhe të ndikuar nga kultura e korruptuar perëndimore. Tani ata mund të shohin një person që u vlerësua nga Komisioni i Çmimit Nobel të Paqes, si një grua që ka luftuar për të drejtat e njeriut, për të drejtat e gruas dhe të fëmijëve”.

Edhe qeveria amerikane e vlerësoi dhënien e çmimit për zonjën Ebadi.

Disa analistë e konsiderojnë çmimin Nobel të paqes për zonjën Ebadi, si një paralajmërim të hollë për Presidentin Bush, që përfshiu Iranin në të ashtuquajturin “boshti i së keqes” bashkë me Irakun dhe Korenë e Veriut.

Duke demonstruar ndjenjën e fortë të nacionalizimit, zonja Ebadi këmbëngul se iranianët nuk kanë nevojë për ndërhyrje nga jashtë për të realizuar reformat e tyre demokratike.

Ajo e përdori konferencën e saj për shtyp të premten për të kritikuar shkeljen e të drejtave të njeriut në emër të fesë edhe në shumë vende të tjera myslimane.//kk//

XS
SM
MD
LG