Lidhje

Rugova, Daci në Vjenë. E pasigurt pjesmarrja e serbëve - 2003-10-13


Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryetari i parlamentit Nexhat Daci, janë të vetmit që do të përfaqësojnë Kosovën në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, për cështje teknike, të cilat fillojnë nesër në Vjenë.

Zotërinjtë Rugova dhe Daci, u nisën të hënën pasdite nga aeroporti i Prishtinës për në Vjenë, ndërkohë që Lidhja Demokratike thotë se pjesëmarrja e institucioneve më të larta të Kosovës në takimin e Vjenës ka rëndësi të madhe për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova, dhe është në interes të Kosovës dhe të ardhmes së saj.

Kryeministri Bajram Rexhepi refuzoi përfundimisht pjesëmarrjen në këto bisedime, ndërkohë që sot u bë e ditur se të njëjtën gjë kanë bërë edhe ministrja e shëndetësisë Resmie Mumxhiu dhe bashkërenduesi ndërministror për cështjet e Kthimit, në qeverinë e Kosovës, Milorad Todorovic.

Përfaqësuesit e vendeve të pesëshes, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Gjermanisë dhe Francës, janë përpjekur të hënën në zyrën amerikane në Prishtinë të bindin kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në bisedimet e Vjenës, por rezultatet përfundimtare të këtyre bisedimeve, janë negative.

Kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri, është cituar nga zëdhënësja e tij Izabela Karlovic të ketë thënë se shpreson që pavarësisht nga këto vështirësi, institucionet e Kosovës do të përkrahin procesin e zgjidhjes së çështjeve për të cilat do të bisedohet në fazën e dytë të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zëdhënësja e UNMIK-ut Izabel Karlovich, ka thënë se “në pamundësi që në delegacionin e Kosovës të jenë edhe anëtarët e qeverisë, Kosovën do ta përfaqësojë presidenti Ibrahim Rugova, si simbol i unitetit të Kosovës shumëetnike”.

Përfaqësuesit e vendeve të pesëshes dolën mbrëmë me një deklaratë të përbashkët, në të cilën shprehej keqardhja për vendimin e kryeministrit për të mos marrë pjesë në bisedimet e Vjenës, por njëkohësisht bëhej e qartë se bisedimet do të zhvillohen.

Pjesmarrja e delegacionit të Beogradit nuk është e sigurt

Delegacioni i Beogradit duhet të ishte nisur të hënën në orën 18:00 por ai ende ndodhet në Beograd, gjë që mund të shkaktojë shtyrjen e fillimit të bisedimeve. Arsyetimi i tyre është se bisedimet vetëm me Rugovën e Dacin nuk kanë kuptim, nëse në delegacionin e Prishtinës nuk është edhe përfaqësuesi serb, pra nëse delegacioni nuk është shumetnik.

Një burim i afërt me delegacionin e Beogradit ka thënë se janë duke u zhvilluar këshillime intensive midis shefit të Qendrës bashkërenduese për Kosovën, Nebojsha Çoviç me shefin e UNMIKut, Hari Holkeri.

Delegacioni prej katër anëtarësh i Beogradit përbëhet nga Presidenti i Unionit Serbi-Mal i Zi, Svetozar Maroviç, kyreministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviç, nënkryeministri serb i ngarkuar për Kosovën, Nebojsha Çoviç si dhe ministri për të Drejtat e Njeriut e të Pakicave, Rasim Lajiç.

Kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviç tha dje se dialogu në Vjenë, paraqet "fitorën e palës serbe" dhe se pret që këto bisedime të jenë një rast që pala shqiptare të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë politike e praktike për gjendjen në Kosovë. Por, tha ai, ato janë rast që edhe bashkësia ndërkombëtare të realizojë atë që përcaktohet në Rezolutën 1244 të OKB-së. Kryeministri serb u shpreh se delegacioni i Beogradit, qysh në fillim të bisedimeve do të shprehë pakënaqësinë ndaj rezultateve të punës së UNMIK-ut përsa i përket çështjes së kthimit të serbëve të zhvendosur dhe sigurisë së tyre në Kosovë.

Delegacioni i Beogradit, në Vjenë do të paraqitet me qëndrime të përbashkëta të cilat më parë janë harmonizuar me të gjitha strukturat e pushtetit e të opozitës dhe Kishën orthodokse serbe, dhe si platformë për bisedime do të ketë Deklaratën mbi Kosovën të miratuar në Kuvendin e Serbisë, në fund të gushtit, ku konfirmohet sovraniteti dhe tërësia e territorit të Serbisë duke përfshirë edhe territorin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG