Lidhje

Shqipëri: autoritetet vlerësojnë zgjedhjet - 2003-10-13


Autoritetet shqiptare dhanë vlerësimet e para mbi ecurinë e procesit zgjedhor.

Presidenti Alfred Moisiu vlerësoi punën e partive si dhe të policisë e të shërbimit informativ gjatë zgjedhjeve. Zyra e tij e shtypit njoftoi se zoti Moisiu përgëzoi në biseda telefonike drejtuesit më të lartë të policisë dhe SHISH-it për zbatimin e ligjit nga strukturat e tyre, duke siguruar, sipas tij, një proces zgjedhor të qetë.

Presidenti Moisiu përshëndeti në biseda telefonike edhe drejtuesit e dy partive kryesore, kryetarin e PS, Fatos Nano, dhe kryetarin e PD, Sali Berisha, për fushatën e qytetëruar, zhvillimin normal të procesit zgjedhor dhe arritjet e forcave të tyre politike. “Edhe ndonjë problem i shfaqur gjatë procesit zgjedhor - sipas presidentit - duhet të ndiqet vetëm brenda kuadrit ligjor.”

Zëdhënësi i kryeministrit, Aldrin Dalipi, publikoi një deklaratë të qeverisë ku thuhet se qeveria i vlerëson këto zgjedhje si një progres të rëndësishëm që tregon maturinë e institucioneve demokratike të Shqipërisë.

“Qeveria shqiptare deklaron se zgjedhjet e 12 tetorit ishin zgjedhje plotësisht të lira, të ndershme dhe demokratike. Qeveria - thuhet në deklaratë - përshëndet gjithë të zgjedhurit e rinj vendorë, pavarësisht nga përkatësia politike, dhe shpreh vullnetin e saj për një bashkëpunim institucional për thellimin e reformës së decentralizimit dhe përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve publike ndaj qytetarëve”.

Në selinë e PS po priten me entuziazëm rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore për Tiranën, ndërkohë që drejtuesit vazhdojnë të mbledhin informacione për kryeqytetin dhe për qytetet e tjera.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruci, njoftoi se deri tani kjo parti ka fituar në shkallë vendi 48,5% ndërsa Partia Demokratike 38%. Ndërsa lidhur me protestat e opozitës për parregullsi në lista, zoti Ruci tha:

“Listat janë pranuar me konsensus nga të dyja palët, ndaj përgjegjësia për to është e dyanshme.”

Ndërkaq dega e Partisë Socialiste e kryeqytetit vazhdon të japë rezultate të pjesshme që flasin për një fitore të kandidatit të saj. Sipas degës së PS për Tiranën, kandidati socialist, Edi Rama, ka fituar 58-62% të votave, këshillat bashkiake janë fituar 48-51%, ndërsa PS ka fituar 9 minibashki kundrejt 2 të PD.

Partia Demokratike deklaroi sot se nuk do të njoh rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë dhe në Durrës dhe do të kërkojë anulimin e tyre. Kryetari i partise, Sali Berisha tha se në këto qytete janë përjashtuar nga listat mijëra votues.

Sipas zotit Berisha, Partia e tij ka dalë forca e parë politike e vendit nga votimet e djeshme dhe të paktën 7 pikë diferencë nga Partia Socialiste.//ii

XS
SM
MD
LG