Lidhje

BE diskuton në Bruksel kushtetutën e re - 2003-10-16


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian hapën sot në Bruksel një takim dyditësh të nivelit të lartë me një sesion pune kushtuar zgjidhjes së mosmarrëveshjeve lidhur me një kushtetutë të re të organizatës. Mes këtyre çështjeve janë madhësia e komisisionit ekzekutiv të Bashkimit Evropian, ndryshimet në rregullat e votimit dhe masat për krijimin e një presidence më të efektshme të organizatës.

Një nga pikat kryesore është propozimi për ndryshimin e rregullave të votimit në mënyrë që të pasqyrohet më mirë madhësia e popullësisë së një vendi. Vendet e mëdha mbështesin ndryshimin, sipas të cilit një legjislacion do të miratohej me mbështetjen e shumicës së thjeshtë të shteteve që përfaqësojnë 60 përqind të popullësisë së bllokut. Por vendet e vogla kërkojnë ruajtjen e sistemit të tanishëm, i cili u jep atyre një zë thuajse të barabartë me fqinjët e tyre më të mëdhenj.

Dje, kryetari i organit ekzekutiv të bllokut, ish kryeministri italian, Romano Prodi, u bëri thirrje udhëheqësve të shmangin grindjet politike që mund të vonojnë miratimin e një projektkushtetute të re. Pritet që udhëheqësit e 15 vendeve anëtare dhe të 10 vendeve që do të anëtarësohen vitin tjetër të diskutojnë edhe rreth çështjeve rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë programin bërthamor të Iranit.

//rd//

XS
SM
MD
LG