Lidhje

Dy ushtarë të tjerë amerikanë vriten në Irak - 2003-10-29


Edhe dy ushtarë të tjerë amerikanë humbën jetën në Irak dhe sipas statistikave të Pentagonit, më shumë amerikanë janë vrarë pas përfundimit të operacioneve luftarake në shkallë të gjerë, sesa në luftimet gjashtë javëshe për përmbysjen e Sadam Huseinit.

Një zyrtar ushtarak tha se viktimat e fundit ndodhën mbrëmë, kur tanku i tyre i tipit Abrams u godit nga një shpërthim gjatë patrullimit pranë qytetit Baladë, rreth 70 kilomtra në veri të Bagdadit.

Numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në Irak, që kur Presidenti Bush deklaroi më një maj se operacionet luftarake në shkallë të gjerë kishin marrë fund, ka arritur në 117.

Statistika të besueshme rreth numrit të viktimave irakiane nuk ka, por mendohet gjerësisht që numri të jetë shumë më i lartë se humbjet në radhët e amerikanëve.

Gjatë javëve të fundit, është vënë re një rritje e sulmeve dhe shpërthimeve vetëvrasëse që vënë në shënjestër forcat amerikane dhe irakianët që bashkëpunojnë me autoritetet e koalicionit.

Të paktën 40 vetë, përfshirë Zëvendëskryetarin e Bashkisë së Bagdadit, kanë humbur jetën dhe më shumë se 200 të tjerë janë plagosur në sulme të tilla që nga e diela.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha sot në Gjenevë se do të tërheqë nga Iraku një pjesë të personelit të tij ndërkombëtar, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë. Shpërthimi i një makine bombë pranë selisë së Kryqit të Kuq në Bagdad shkaktoi vdekjen e 12 personave.// lk //

XS
SM
MD
LG