Lidhje

Një steroid që përdoret nga atletët, dëmton shëndetin - 2003-10-30


Zyrtarët amerikanë thonë se një steroid, i cili kohët e fundit po bën bujë në botën e atletikës, shkakton rreziqe të shumta për shëndetin e njeriut.

Ata po kërkojnë gjithashtu ndalimin e shitjes së disa substancave të tjera të cilat ndonëse legalisht nuk janë steriodë, bëhen të tillë kur hyjnë në trupin e njeriut. Ata janë të shqetësuar sidomos nga lehtësia me të cilën substanca të tilla mund të bien në duart e adoleshntëve, qoftë përmes blerjes drejtpërdrejt në dyqan ose me anë të internetit.

Administrata amerikane e Ilaçeve dhe e Ushqimeve paralajmëroi të martën se një steroid i zbuluar kohët e fundit, i cili ka shkaktuar bujë midis zyrtarëve të atletikës, është një ilaç i ndaluar që shkakton rreziqe serioze për shëndetin e atyre që e përdorin.

Autoritetet amerikane mësuan për ekzistencën e këtij steroidi të quajtur THG, verën që kaloi pas informacioneve të ardhura nga persona anonimë.

Ja ç’thotë John Taylor, zëvendës komisioner i agjencisë amerikane të ilaçeve:

"Agjencia e ilaçeve po punon aktivisht me agjencitë e tjera të antikrimit për të ndjekur penalisht prodhuesit e steroidit THG. Ne do të veprojmë gjithashtu me shpejtësi në të ardhmen kundër çdo personi që prodhon ose përhap këtë prodhim të dëmshëm, sepse THG nuk është një ilaç i miratuar zyrtarisht dhe përdorimi i tij mund të shkatojë rreziqe serioze për shëndetin, tha zoti Taylor."

Steroidi THG është krijuar në mënyrë të tillë nga laboratorët që të mos diktohet nga testet e zakonshme nëpër të cilat kalojnë sportistët, kryesisht atletët.

Disa prej tyre, siç është sprinteri britanik Dwain Chambers ka pranuar se ka marrë THG ndërsa pak kohë më parë, gazeta Washington Post njoftonte se vrapuesja amerikane e distancave të mesme Regina Jacobs, 15 herë kampione kombëtare, u testua pozitive për steroidin në fjalë.

Ekspertët e antidopingut po flasin gjithashtu për përhapjen kohët e fundit të substancave të ndryshme dietetike, të cilat janë të paligjshme. Këto substanca që përmbajnë elementë të ngjashëm me steroidët shiten nëpër farmaci ose përmes internetit.

Ato mund të shiten legalisht sepse zyrtarisht ato nuk janë steroidë anabolikë, por ekspertët thonë se nga pikpamja kimike ato janë vetëm një hap larg steroidëve.

Sipas ekspertëve, kur hyjnë në trup, këto substanca shndërrohen në steriodë anabolikë, pra pikërisht në ato substanca që ligji i ndalon.

Shqetësimet janë sidomos për atletët adoleshentë të cilët i gjejnë me lehtësi këto substanca por nuk i kuptojnë rreziqet.

Terry Madden, drejtor ekzekutiv i agjencisë amerikane të antidopingut, po i kërkon Kongresit që të miratojë një ligj i cili të ndalojë steroidët anabolikë.

"Jam i sigurt se Kongresi do të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar një ilaç, i cili kur gëlltitet shndërrohet në kokainë. Mirëpo, ky ilaç sot shitet hapur në farmaci çdo ditë. Është e paligjshme të shesës një steroid pa recetë por aktualisht ligji e lejon që të shitet një ilaç i cili e krijon steriodin kur hyn në trupin e njeriut”, thotë zoti Madden.

Dhjetra atletë olimpikë dhe profesionistë kanë marrë urdhër nga gjykatat të dëshmojnë përpara një jurie të madhe federale që po merret me hetimet rreth steroidit THG.

Tani që në dispozicion kanë testin për steroidin THG, organizmat e ndryshmne sportive po nxitojnë për të ritestuar atletët e tyre dhe për të vendosur se çfarë ndëshkimesh do të imponojnë.//

XS
SM
MD
LG