Lidhje

UNIFEM shfaq një film dokumentar mbi rolin e grave në procesin e paqes - 2003-11-02


Fondi i Kombeve të Bashkuara për zhvillimin përe Gratë, UNIFEM shfaqi një film dokumentar mbi rolin e grave në konsolidimin e paqes.

Fatima Gailani është një nga shtatë gratë që bëjnë pjesë në komisionin që po harton kushtetutën e re të Afganistanit. Ajo është një nga personazhet e dokumentarit. Në këtë film, zonja Gailani shkon në një shkollë, ku vajzat afgane i janë rikthyer bankave të shkollës. Zonja Gailani thotë se arsimimi i grave është kyç për të ardhmen e një Afganistani paqësor. “Është ndoshta e pabesueshme, por ato gjëra që ne na duken normale këtu, për ato janë si ëndërr. Për një vajzë të vogël, edhe rutina e përditshme e përgatitjes për të shkuar në shkollë, është si një festë ditëlindjeje. Atyre nuk u pëlqen e premtja, sepse u duhet të rrinë në shtëpi. Është etje për të mësuar dhe për të bërë një jetë si gjithë bota”.

Në film pasqyrohet veprimtaria e grave që punojnë në procese rindërtimi, ose që ndihmojnë ata që jetojnë në vështirësi në pesë vende: Afganistan, Burundi, Bosnje-Hercegovinë, Argjentinë dhe Shtetet e Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, paraqet filmin dhe thotë se gratë janë shpesh udhëheqëse kur bëhet fjalë për paqeruajtjen. “Duke filluar nga përdhunimi, tek shpërngulja, e deri tek mohimi i së drejtës për ushqim dhe kujdes shëndetësor, gratë mbajnë mbi shpatulla një pjesë të madhe të vuajtjes. Por gratë që e dinë mirë se me çfarë çmimi paguhet konflikti, janë gjithashtu shpesh më të përgatitura sesa burrat për ta parandaluar, ose zgjidhur atë”.

Gjatë gjithë filmit gratë shfaqen duke ndihmuar njëra-tjetrën për të ecur përpara pas konfliktit. Gratë e veja në Burundi krijojnë një grup për të ndihmuar njëra-tjetrën pasi u janë vrarë burrat në fushatën e genocidit të Hutuve ndaj qindra-mijëra Tutsis. Gazetaret japin njoftime objektive në radio që zëvendësojnë transmetimet më parë të kontrolluara nga qeveria dhe shpesh raciste. Aktorja Jessica Lange e rrëfen historitë e dokumentarit. Ajo ishte kohët e fundit në Republikën Demokratike të Kongos dhe thotë se ishte mahnitur nga etja për paqe mes të rinjve që kishin qenë fëmijë-ushtarë dhe mes grave që kishin vuajtur në luftë. “E njëjta gjë vlen edhe për gratë dhe vajzat me të cilat fola, që kishin qenë viktima të dhunës së tmerrshme seksuale, skllavërisë seksuale, gjymtimit. E megjithatë, nëse do t’i pyesje se për çfarë kanë nevojë tani për ta përmirësuar jetën e tyre, secila nga këto gra thoshte: ‘Më parë duhet të kemi paqen, pa paqen nuk kemi asgjë”.

Filmi po paraqitet njëkohësisht me hapjen e një faqeje interneti, ku UNIFEMI thotë se përmban informacion për gjendjen e gruas në 27 vende që ose janë në konflikt, ose po rimëkëmben nga konflikti. //az//

XS
SM
MD
LG