Lidhje

Irak: vazhdon hetimi në rrënojat e helikopterit të rrëzuar të dielën - 2003-11-03


Trupat amerikane në Irak vazhdojnë të kërkojnë në rrënojat e një helikopteri që u rrëzua dje, duke shkaktuar vdekjen e 16 ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e 20 të tjerëve.

Buldozerë dhe makineri të tjera të rënda u panë sot të punojnë në vendin ku ndodhet helikopteri i transportit, i cili u rrëzua në një fushë afër qytetit Falluxha, skenë e tensioneve të herë pas hershme.

Shumica e ushtarëve të plagosur në këtë sulm janë dërguar në një spital ushtarak amerikan në Gjermani.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, incidenti më i rëndë për trupat amerikane qysh nga fillimi i luftës në Irak në muajin mars.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld tha dje se sulmi ndaj helikopterit amerikan Chinook, është pjesë e çmimit tragjik dhe të pashmangshëm të luftës, për të cilën ai tha se do të jetë e gjatë dhe e vështirë.

Ndërkohë, sot një civil irakian u vra dhe të paktën 7 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një bombe pranë një autobusi në Baquba, në verilindje të kryeqytetit. Bomba shpërtheu pak pasi aty kishte kaluar një autokolonë me pjestarë të forcës civile irakiane të mbrojtjes.//ii

XS
SM
MD
LG