Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Serbi mund të dështojnë përsëri - 2003-11-16


Zgjedhjet presidenciale që u mbajtën të dielën në Serbi, duket se do të dështojnë edhe këtë radhë për shkak të pjesëmarrjes së ulët, sipas vëzhguesve.

Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci njoftoi se pjesëmarrja ishte rreth 30 përqind, vetëm 3 orë para mbylljes së qendrave të votimit. Të paktën 50 përqind e votuesve të regjistruar të Serbisë duhet të marrin pjesë në zgjedhje, përndryshe rezultati shpallet i pavlefshëm.

Në orën 20:00, në 180 komuna të Serbisë u mbyllën mbi 8.500 vendovotime. Komisioni Zgjedhor Republikan tha në mbrëmje se deri në orën 19 në votime kishin dalë rreth 35 përqind të qytetarëve me të drejtë vote, mbi 6, 5 milionë zgjedhës.

Sipas Ligjeve në fuqi për suksesin e zgjedhjeve, në votime duhet të dalin mbi 50 përqind e qytetarëve me të drejtë vote, kurse fitues shpallët kandidati që ka fituar më tepër se gjysmën e votave të pjesëmarrësve në votime.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk e ka fituar këtë përqindje atëherë në raundin e dytë, i cili duhet të mbahet pas 15 ditësh, shkojnë dy kandidatë me më shumë vota dhe për këtë raund nuk ekziston cenzusi prej 50 përqind.

Por nëse pjesëmarrja në votime do të jetë nën 50 përqind, sikurse kanë treguar anketat e opinionit në prag të zgjedhjeve, atëherë zgjedhjet e reja duhet të mbahen në afatin prej 60 ditësh.

Zgjedhjet kryesisht kanë kaluar qetë dhe në frymën demokratike, por janë shenuar disa parregullsi të vogla.

Sipas njoftimeve nga Lugina e Preshevës popullata shqiptare kryesisht i ka bojkotuar edhe këto zgjedhje, kurse në disa vendvotime të hapura nuk ka votuar asnjë votues.

Shumica e udhëheqësve politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës i kanë ftuar votuesit e kësaj zone që t’i bojkotojnë ato me arsyetimin se asnjë nga kandidatët presidencialë nuk ka ofruar zgjidhje të problemeve me të cilat po ballafaqohen shqiptarët e kësaj treve. Kurse drejtuesit e Partisë për Veprim Demokratik kanë thënë se votuesit shqiptarë duhet të vendosin vetë për këtë.

Këto janë zgjedhjet e treta presidenciale që nga përmbysja e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, në vjeshtë të vitit 2000 dhe të shtatat qysh se në Serbi, në vitin 1990, është futur sistemi shumëpartiak.

Serbia është pa president që nga janari i këtij viti dhe ushtruese e këtij posti është kryetarja e Parlamentit, Natasha Miqiq.

Prandaj, zgjedhjet e së dielës vlerësohen si vendimtare për të ardhmen e vendit dhe test kryesor për qeverinë reformatore para zgjedhjeve të ardhshme të jashtëzakonshme parlamentare, të caktuara për në fund të dhjetorit. Nëse ato dështojnë do të kontribojë në thellimin më të madh të krizës politike dhe institucionale në vend. //kk//

XS
SM
MD
LG