Lidhje

Meta: Ka kaluar koha e kompromiseve me Nanon - 2003-11-19


Në Partinë Socialiste vazhdon të thellohet gjithnjë e më tej çarja e brendshme. Ish-presidenti Rexhep Meidani u tërhoq nga gara për kreun e partisë ndërsa kandidati tjetër Edi Rama nuk është lejuar të marrë pjesë në konferencat e rretheve. Kundërshtarët e kryeministrit dhe kryetarit aktual Fatos Nano po e rëndojnë dozën e akuzave ndaj tij. Sipas tyre qeveria dhe partia po udhëhiqet nga një kastë e dhunshme dhe represive, duke paralajmëruar se kongresi i ardhshëm mund t’u kushtojë shumë të gjithë socialistëve. Nga ana tjetër kryeministri Nano po përballet me kritika të shumta dhe kërkesa këmbengulëse për të zgjidhur problemin e dy vendeve bosh të kabinetit të tij. Kjo gjendje ka paralizuar punimet e parlamentit. Opozita nuk lejon shqyrtimin e asnjë çështjeje tjetër pa u paraqitur kandidaturat e dy ministrave të rinj. Lidhur me këtë situatë, Zëri i Amerikës intervistoi ish-kryeministrin Ilir Meta, i cili bëri akuza të rënda ndaj Kryeministrit Nano dhe tha se tashmë nuk është më koha mes kompromiseve individuale në Partinë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, për një kohë të gjatë Partia Socialiste ka pohuar se është forca më demokratike e vendit. Por ky imazh ose mit, rrëzohet nga zhvillimet që kanë të bëjnë me përgatitjet për kongresin e ardhshëm të partisë dhe me tërheqjen e kandidaturës nga zoti Meidani. Në këto kushte, siç jeni shprehur edhe ju, kur situata duket se është tërësisht në favor të zotit Nano, a mund të thuhet se kandidatët e tjerë kanë ndonjë shans në këtë kongres?

Ilir Meta:Për fat të mirë, ashtu siç e përmendët edhe ju, Partia Socialiste deri tani ka qenë forca më demokratike në vend, forca më e hapur dhe një forcë ku kanë bashkëjetuar dhe kanë funksionuar edhe mendimet ndryshe. Ndërsa aktualisht për fat të keq PS-ja ka hyrë në një proces kongresual, i cili është më regresivi do të thosha, madje nuk mund të krahasohet me gjithë proceset e tjera kongresuale të viteve të mëparshme. Tashmë përpjekjet e zotit Nano dhe të grupit të ngushtë rreth tij në qeverisje apo dhe në parti për të bërë gjithçka në funksion të rizgjedhjes së tij, duke dëmtuar demokracinë e brendshme, duke shkatërruar konkurrencën demokratike, duke anatemuar dhe duke denigruar konkurrencat dhe njëkohësisht duke përdorur, ajo çka është më e rënda, gjithë mekanizmat shtetërorë dhe qeverisës, kundër kandidatëve, kundër konkurrencës, kundër oponencës në parti, pa dyshim që po paralajmëron një kongres të dështuar përsa i takon dimensioneve demokratike që ai duhet të ketë, njëkohësisht edhe stabilitetit që duhet t’i sigurojë maxhorancës pas tij dhe ajo që është më e rëndësishmja qeverisjes së vendit dhe integrimit evropian të tij. Përsa u takon konkurrentëve dhe shanseve të zotit Nano, unë mendoj se pavarësisht se kushdo, edhe zoti Nano mund të gjykojë në pamje të parë se kjo është situatë e favorshme për të, unë mendoj se është situata më e pafavorshme, pasi në kushte të tilla me një legjitimitet të cënuar rëndë të të gjithë këtyre procedurave të deritanishme, me këtë frymë persekutimi ndaj çdo mendimi ndryshe, me këto shkarkime skandaloze që po ndodhin në të gjitha rrethet e vendit, të drejtorëve, apo të socialistëve të tjerë që janë shkarkuar vetëm se kanë shprehur një mendim të lirë të tyre, apo vetëm sepse janë takuar me zotin Meidani, apo me zotin Meta, siç ishte edhe rasti i ish-Kryetarit të Partisë Socialiste të Devollit, Drejtori i Bujqësisë, tashmë ish-drejtori i Bujqësisë, pasi është shkarkuar nga dita e djeshme dhe shumë raste të tjera në të gjithë vendin, në Durrës, në Has, në shumë zona të tjera, ku tashmë ka filluar një valë shkarkimesh, presionesh, e cila nuk është e ditëve të fundit, por që po kulmon me afrimin e Kongresit dhe me përpjekjet për të frikësuar në masë të gjithë ata njerëz, të cilët nuk duhet të shprehin më mendimin e tyre të lirë në Partinë Socialiste, por që duhet të mendojnë dhe të veprojnë në unison të plotë me kryetarin Nano.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, ju dhe zoti Nano, jeni angazhuar në një luftë të ashpër për një kohë shumë të gjatë. Askush nuk duket se është në pozitë më të mirë se ju për të konkurruar ndaj zotit Nano për postin e kryetarit të partisë dhe për t’iu kundërvënë atyre që ju i keni cilësuar si deformime të rënda në parti. A nuk po i zhgënjeni ju përkrahësit tuaj duke mos vënë kandidaturën për postin e kryetarit në Kongres?

Ilir Meta: Më duket se e kam shpjeguar qartë edhe në të kaluarën se për arsye edhe të konstatimit tuaj se unë dhe zoti Nano, për një periudhë tashmë 7 vjeçare, megjithëse edhe ajo ka pasur periudhat e saj të qetësisë dhe kompromiseve të ndryshme, kemi qenë ballë për ballë për të përfaqësuar mendime të caktuara të ndryshme dhe në këtë kuadër, duke pasur parasysh edhe përpjekjet e vazhdueshme të zotit Nano për të personalizuar këto debate dhe për t’i paraqitur ato si konflikte personale, duke qenë se të dy kemi qenë palë, unë kam gjykuar dhe jo vetëm, por edhe bashkë me shokë dhe kolegë të tjerë se në këtë moment, zgjidhja më e mirë ka qenë dhe është për të paraqitur një figurë që nuk është palë në gjithë këtë histori debatesh dhe kontradiktash në Partinë Socialiste dhe aq më tepër implikuar drejtpërdrejt edhe në shkeljen e rregullave të Partisë Socialiste, pasi dihet se edhe zoti Nano, edhe unë për fat të keq, jemi në një pozicion të vështirë në raport edhe me statutin e partisë, pasi edhe ai ka mbajtur qëndrime të ndryshme dhe të kundërta me vendimet e forumeve të Partisë Socialiste, po kështu edhe unë kam qenë i detyruar në muajt e fundit të bëj këtë veprim. Në këtë kuadër duke menduar se Partia Socialiste ka nevojë për një figurë që të ofrojë aktualisht më shumë ekuilibër, për një figurë që të ofrojë më shumë qetësi midis palëve, për një figurë që të ofrojë më shumë harmoni dhe më shumë hapësira për konvergjencën e gjithë faktorëve dhe gjithë forcave, gjithë mendimeve ndryshe në Partinë Socialiste, ne kishim propozuar dhe kemi mbështetur kandidaturën e zotit Meidani për këtë post. Kjo nuk do të thotë se duke propozuar dhe duke mbështetur zotin Meidani, unë u jam shmangur detyrimeve dhe angazhimeve që kam ndaj gjithë Partisë Socialiste, sepse nuk kam luftuar dhe nuk luftoj thjesht për interesat e një grupi, apo të një rryme që mendon si unë, por besoj se ato që ne kërkojmë janë jetësore për Partinë Socialiste, për ta mbajtur atë, akoma atë edhe në të ardhmen, edhe më shumë si forcën më demokratike në vend, por edhe si forcën më të aftë për të qeverisur vendin dhe për të udhëhequr integrimin evropian të tij.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, sipas analistëve, duket se kriza në radhët e Partisë Socialiste po e mban vendin peng dhe po pengon integrimin e saj në institucionet Euro-Atlantike. Cili është komenti juaj lidhur me këtë?

Ilir Meta:Unë mund t’ju bëj një koment shumë të thjeshtë. Nuk është thjesht kjo krizë politike, e cila po mban peng vendin, pasi dihet se tashmë edhe kjo është një faktor në këtë drejtim. Pra kjo është pasojë e dështimit të qeverisjes nga zoti Nano, kjo është pasojë e bllokimit të reformave në vend, të cilat unë, por edhe kolegë të tjerë në Partinë Socialiste i kanë paralajmëruar prej një kohe të gjatë dhe janë injoruar. Tashmë ato po konfirmohen gjithnjë e më shumë edhe nga institucionet ndërkombëtare, madje edhe ditët e fundit dhe mbi të gjitha dua të theksoj se nuk është kriza thjesht mungesa e dy ministrave në qeverinë ekzistuese. Kjo është një shfaqje mjaft sipërfaqësore e kësaj krize dhe është një detaj. Kriza është mungesa e qeverisjes, është paaftësia e qeverisjes së vendit dhe njëkohësisht është paaftësia e zotit Nano për të drejtuar qeverinë dhe qeverisjen e vendit, në mënyrë demokratike, transparente dhe ligjore dhe njëkohësisht edhe për të drejtuar Partinë Socialiste, në mënyrë demokratike, në mënyrë transparente dhe në mënyrë të hapur. Ndaj gjithë politika e tij, për personalizimin e qeverisjes së vendit dhe për personalizimin e gjithë drejtimit të Partisë Socialiste, synon për të instaluar një regjim autoritar, për të vendosur gjoja stabilitet në kurriz të demokracisë së vendit dhe në kurriz të demokracisë së Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, ju përmendët disa zhvillime të kohëve të fundit. Sa e ka dëmtuar imazhin e qeverisë dhe partisë suaj çështja e zgjedhjeve në Himarë, ku flitet për parregullsi të mëdha?

Ilir Meta: Mendoj se ngjarjet e fundit në Himarë janë tërësisht të papranueshme, janë tërësisht të patolerueshme dhe në çdo rast qeveria mban përgjegjësinë kryesore, pasi dihet se nuk është hera e parë që kemi ngjarje të tilla në Himarë. Dihet se edhe përpara tre viteve, një situatë e tillë është krijuar në Himarë e cila dëmtoi edhe imazhin e zgjedhjeve të vitit 2000. Këto për mendimin tim nuk janë të rastësishme, përkundrazi unë mendoj se këto janë në funksion të dëmtimit të imazhit të vendit tonë, por këto edhe pse përpiqet dikush për t’i mbrojtur, apo për t’u shfajësuar në emër të gjoja patriotizmit, në fund të fundit këto gjithmonë kanë ushqyer qarqet më ultranacionaliste anti-shqiptare, për ta bërë këtë çështje një çështje ndërkombëtare dhe unë mendoj se krizat e qeverisjes në Tiranë, nuk duhet të shkarkohen në Himarë.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, disa herë konflikti midis jush dhe zotit Nano, ka arritur pikën kulmore, por kur mendohej se nuk mund të kishte zgjidhje, siç latë edhe ju të kuptohet më parë, menjëherë dhe papritur është gjetur një farë zgjidhjeje. A është kompromisi i mundur në këtë fazë të konfliktit dhe sipas pikëpamjes tuaj çfarë do ta bënte këtë kompromis të mundshëm?

Ilir Meta: Mendoj se koha e kompromiseve të individëve është një kohë e tejkaluar. Është e vërtetë se në të kaluarën, unë kam bërë përpjekje për të realizuar kompromise me zotin Nano, thjesht dhe vetëm në funksion të stabilitetit të maxhorancës, por edhe të vendit. Ju të gjithë e mbani mend besoj shumë mirë, se përpara një viti, gjatë krizës së çështjes së presidentit, pra për zgjedhjen e presidentit konsensual, unë investova në funksion të një zgjidhjeje edhe për vendin, pra për zgjidhjen e një presidenti konsensual, por edhe të krizës brenda maxhorancës, madje pranova që zoti Nano të ishte kryeministër, edhe pse ai vetëm disa muaj përpara këtij kompromisi, kishte sulmuar në mënyrën më të padrejtë, më të pabesë dhe më të pandershme qeverinë që drejtoja unë, madje pranova me të të bashkëpunoja edhe në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, por besoj se është e qartë se kompromise të tilla nuk mund të funksionojnë dhe jam i bindur që përgjegjësia nuk ka qenë dhe nuk është e imja dhe mendoj se përgjegjësitë duhet t’i marrin një herë e përgjithmonë forumet drejtuese të Partisë Socialiste, pasi në këtë mënyrë ato mund të jenë më të qëndrueshme, mund të jenë më të garantuara, pavarësisht se unë jam i bindur se zoti Nano sapo arrin një kompromis, menjëherë mendon sesi ta minojë atë dhe si të forcojë pozitat e veta, gjithmonë në dëm të stabilitetit të maxhorancës, por edhe në dëm të stabilitetit të vendit. //kk//

XS
SM
MD
LG