Lidhje

Shpërthime të fuqishme në qendër të Bagdadit - 2003-11-25


Në qendër të Bagdadit u dëgjuan disa shpërthime të fuqishme, vetëm disa orë pasi zyrtarët amerikanë në Irak thanë se guerrilasit po i drejtojnë sulmet e tyre më tepër ndaj irakianëve, se sa ndaj trupave amerikane.

Shpërthimet u dëgjuan të martën dhe në zyrat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e të Bashkuara filluan sirenat; por nuk pati njoftime të menjëhershme nga forcat ushtarake amerikane lidhur me shkakun e shpërthimeve, apo për vendin ku ata ndodhën.

Kryengritësit në të kaluarën kanë kryer sulm me mortaja në zyrat e forcave të koalicionit në Bagdad.

Të martën kryeadministratori amerikan i Irakut Paul Bremer, tha se guerriljet kanë ndryshuar taktikë dhe po i përqendrojnë tani sulmet tek irakianët, më shumë se sa tek forcat e koalicionit.

Zoti Bremer tha se gueriljet po përpiqen të frikësojnë irakianët e pafajshëm sepse e kanë të pamundur të frikësojnë koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ai tha se ata nuk do t’ja arrijnë dot qëllimit sepse populli irakian nuk do të përkulet para terrorizmit.

Komentet e zotit Bremer bëhen pas një serie sulmesh gjatë ditëve të fundit, duke përfshirë dy shpërthime me makina bombë në stacionet e policisë irakiane, vrasjen të dielën të një shefi policie në Latifiyah dhe të një koloneli të policisë në Mosul të shtunën.

Në sulmin e ditës së dielë u vranë edhe tre ushtarë amerikanë.//kk//

XS
SM
MD
LG