Lidhje

Udhëheqësit reformistë të Maqedonisë ndodhen në Washington për bisedime me zyrtarë amerikanë - 2003-11-25


Kryeministri Branko Crvenkovski thotë se partia e tij socialdemokrate dhe partia shqiptare - partnere në koalicion - po e udhëheqin Maqedoninë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në Nato.

Në një takim me gazetarë, zoti Crvenkovski tha të hënën se, ndërsa Maqedonia është e zhgënjyer që nuk mund të hyjë në Nato vitin e ardhshëm bashkë me Bullgarinë dhe Rumaninë, ai është i bindur se rruga e anëtarësisë mbetet e hapur.

Maqedonia po e bashkërendon realizimin e objektivit të saj për t’u anëtarësuar në Nato me Shqipërinë dhe Kroacinë në kuadër të grupimit të njëhur si Karta e Adriatikut. Ministrja e Jashtme, Ilenka Mitreva, dëshëron që në këtë grupim të përfshihen edhe Serbia e Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina.

Në një takim që u zhvillua në Institutin e Paqes në Washington, Kryeministri Crvenskosvki premtoi të shtojë përpjekjet për të luftuar korrupsionin i cili është aq i përhapur në Maqedoni e në rajon. ”Qeveria ka përqafuar një strategji për të luftuar korrupsionin. Kjo politikë po zhvillohet në dy rrafshe: në nivel sistemik dhe operativ”.

Zëvendës-kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, tha se qeveria duhet ta përshpejtojë procesin e integrimit të shqiptarëve në strukturat ekonomike dhe qeveritare. Zoti Xhaferi tha se, edhe pse sfidat janë të mëdha, ai ka besim që Maqedonia do të mbetet një vend i bashkuar.

Ai tha se regjistrimi i popullsisë kohët e fundit është realizuar profesionalisht.

Kryeministri Crvenkovski, i cili erdhi në pushtet para 13 muajsh, shkoi edhe më tej duke thënë se ndarja etnike e vendit, siç është propozuar nga opozita, është një politikë shkaktërrimtare dhe pa frute. Gjatë qendrimit në Washington, zoti Crvenkovski e kolegët e tij do të takohen me Nënpresidentin Dick Cheney, Sekretarin e Shtetit, Colin Powell, dhe Nënsekretarin e Mbrojtjes Paul Wolfowitz. //az//

XS
SM
MD
LG