Lidhje

Të pashpresa kërkimet për ujë në Hënë - 2003-11-27


Shkencëtarët për vite të tëra kanë kërkuar për shenja uji në hënë, por përpjekjet e fundit duke përdorur sinjale të radarit nga toka i kanë ulur shpresat e tyre se në Hënë mund të ketë shenja uji. Por, sipas studjuesve, në Hënë egzistojnë elemente kimikë që formojnë ujin. Hëna, në paraqitje duket e thatë dhe e zhveshur, por ideja e parë se mund të ketë ujë, erdhi nga fotografimet satelitore në vitin 1996. Rrezet e lëshuara nga sateliti mbi një krater në hije të përjetshme në polin e ftohtë jugor të Hënës, tregonin se aty mund të kishte molekula uji.

Dy vjet më vonë, një satelit tjetër duke përdorur një teknologji të re, zbuloi për ekzistencën e atomeve të hidrogjenit, njerit prej komponentëve të ujit në Hënë, që dukeshin të shpërndara aty, si rezultat i rrezatimit nga gjithësia.

Shkencëtarët hodhën teorinë se ky hidrogjen mund të vinte nga akulli i akumuluar një metër nën sipërfaqe, nga të dy polet e Hënës.

Por një studim i ri i bërë me një radar gjigant të vendosur në Porto Riko, tregon se edhe nëse ka ndonjë sasi uji në Hënë, ajo nuk mund të jetë shumë e madhe. Një ekip i drejtuar nga Bruce Campbell i Institutit Smithsonian në Washington, thotë se rezultatet tregojnë se akulli i mundshëm në Hënë mund të jetë vetëm në formë kokërrizash, ose shtresash të holla të ngjitura tek shkëmbinjtë.

”Njerëzit kanë sygjeruar se nëse ka shtresa të trasha akulli në hënë, kjo do ta bënte më të lehtë hulumtimin e hënës sepse ky akull mund të përdorej nga shkencëtarët. Por rezultatet tona tregojnë se nuk ka shumë shpresa për këtë. Nuk është ide e mirë që të përdoret kjo shtresë e hollë akulli e shpërndarë nëpër shkëmbinjë gjithë pluhur.”,- thotë zoti Campbell.

Sinjalet e radarit nga toka kanë depërtuar më shumë se pesë metra në sipërfaqen e Hënës, se inspektimet e mëparshme. Ekipi i zotit Campbell thotë se nëse do të kishte grumbullime më të mëdha akulli, reflektimet e radarit do të ishin më të forta dhe do të dukeshin gati të bardha në monitor, por siç thotë ai sinjalet e marra janë të dobëta, të ndryshme për shembull nga sinjalet që kemi marrë nga planeti i mërkurit.

” Ne shohim reflektime shumë të ndritshme nga kraterët e sipërfaqes së Mërkurit, sepse atje ka një sasi të madhe akulli të mbledhur pas rënies së kometave në sipërfaqen e tij. Ne po kërkonim për sinjale të njejta nga sipëfaqja e hënës por ato mungojnë.”, -thotë shkencëtari.

Por nëse Hëna nuk ka ujë, nga buronin atomet e hidrogjenit të zbuluara nga studimet e vitit 1998?

Një shkencëtar që i ka parë këto studime, thotë se ato mund të kenë ardhur nga erëra diellore, një erë e fuqishme e mbushur me atome të ngarkuara me elektrone nga dielli.

Alan Binder, drejtori i Institutit për Studime të Hënës me qendër në shtetin e Arizonës thotë se në të ardhmen vizitorët e Hënës mund ta përdorin këtë material për të prodhuar ujë sepse në hënë janë gjetur edhe gjurmë të oksigjenit, komponentit tjetër të ujit. Dhe meqë të dy këto elemente janë përbërës të karburantit që përdorin anijet e hapësirës, ato mund të shfrytëzohen në të ardhmen si pikë nisjeje për misione në sistemin diellor.

” Shkëmbinjtë e Hënës kanë 40 deri 43 përqind oksigjen. Ne gjithmonë kemi planifikuar t’i thyejmë shkëmbinjtë për të nxjerrë oksigjen nga metalet që gjenden brenda tyre.

Pra, mungesa e ujit nuk do t’i dekurajonte misionet e ardhshme në Hënë, por siç thotë zoti Binder, duhet të dihet mirë se çfarë lloj hidrogjeni gjendet në Hënë para se të fillohen aventura të tilla.

"Nëse nuk e dimë se në çfarë forme është dhe nisemi duke menduar se do të kemi të bëjmë me akull dhe do të përgaditeshim me mjete të përpunimit të akullit, mund të dalë që hidrogjeni vjen nga erërat diellore dhe ne jemi nisur pa mjetet e nevojshme për përpunimin e tij",-thotë zoti Binder.

Shkencëtarët thonë se mënyra e vetme për të zbuluar me siguri se a ka akull nën sipërfaqen e Hënës, është të dërgosh një robot për të eksploruar sipërfaqen. Mirëpo edhe pse agjensia e hapësirës NASA ka plane të bëjë një gjë të tillë në planetin e Marsit, plane të tilla për Hënën nuk ekzistojnë.// lk //

XS
SM
MD
LG