Lidhje

Kosovë: Oficerë të rinj marrin detyrën në Shërbimin Policor - 2003-12-13


Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marsi Ris vlerësoi të shtunën rëndësinë e Shërbimit Policor të Kosovës, duke theksuar se kualifikimi i oficerëve të rinj ka qenë i vështirë dhe se ata kanë sakrifikuar shumë për të arritur ditën e marrjes së detyrës.

Zonja Ris, e cila foli në ceremoninë e marrjes në detyrë të policëve të rinj të Shërbimit Policor të Kosovës, tha se policët e rinj kanë kaluar në momente kur kanë menduar se nuk do t'ia dalin dot, por më në fund ia kanë dalë mbanë, sic u shpreh ajo.

"Për cilindo oficer policie, çdo ditë e re sjell pjesë rrezik, sfide, përgjegjësie dhe vlerësimin që vjen nga dhënia e një shërbimi jetësor për shoqërinë dhe për ata që kanë nevojë për mbrojtje. Ju keni një përgjegjësi shumë të madhe, për njerëzit me të cilët do të merreni. ju do të jeni fytyra e ligjit dhe rregullit, ju do të jeni krahu më i fortë për ata që kanë nevojë", tha zonja Ris.

Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë tha se secili prej këtyre policëve të rinj kanë fituar të drejtën për të qenë krenarë për atë që kanë arritur sepse kanë arritur dicka të rëndësishme për veten, familjet e tyre dhe Kosovën.

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili përshëndeti oficerët e rinj të policisë, theksoi punën e përgjegjshme të policisë së Kosovës.

"Nga efikasiteti juaj do të varet edhe realizimi i standarteve për Kosovën".

Shërbimi policor i Kosovës është padyshim një nga arritjet më të mëdha të Kosovës së pas-luftës, tha kryeministri Rexhepi, duke shtuar se sot, numri i policëve të Kosovës u rrit në 6264.

Shërbimi policor i Kosovës cilësohet si një nga margaritarët e punës së bërë në Kosovë, tha zoti Rexhepi, duke shtuar se vlerësimin e punës së policisë së Kosovës do ta bëjë koha dhe sfidat gjithnjë e më të mëdha për të. Kryeministri i Kosovës theksoi se policia e Kosovës është mburojë për qytetarin e sulmuar, të rrezikuar, apo të pambrojtur.

Kryeministri vuri gjithashtu në dukje se oficerët e rinj të policisë do të përballen me rrezikun për jetën e tyre dhe të tjerëve, rrezik që mund t’u kushtojë edhe me jetë sic u ka ndodhur pesë anëtarëve të policisë së Kosovës.

Kryeministri Bajram Rexhepi theksoi se policia është dhe duhet të jetë kërcënim për shkelësit e ligjit. Kryeministri nënvizoi se që nga dita e sotme, oficerët e rinj të policisë do të jenë pjesë e pazëvëndësueshme e sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë dhe garantimit të të drejtave për të gjithë qytetarët e saj.//kk//

XS
SM
MD
LG