Lidhje

Shpërthim në ndërtesën e grupit mysliman shiit në Bagdat - 2003-12-19


Një ndërtesë me zyra dhe apartamente banimi që përdorej nga një grup i milicisë myslimane shiite në Bagdat u shemb duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe duke plagosur të paktën shtatë të tjerë.

Njoftimet japin variante që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën lidhur me shkakun e incidentit në ndërtesën që përdorej nga Brigada Badr, e cila ka lidhje me Këshillin e Lartë të Revolucionit Islamik në Irak. Këshilli tha se shembja ishte rezultat i një sulmi me bombë, por një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se policia irakiane beson që ishte një aksident i shkaktuar nga probleme teknike të ndërtesës.

Incidenti ndodhi dy ditë pasi një zyrtar i lartë i Partisë Shiite u vra në Bagdat. Udhëheqësit e partisë fajësuan elementët besnikë të ish presidentit irakian Sadam Husein. Një zyrtar i partisë i tha Zërit të Amerikës se 70 anëtarë ose përkrahës të qeverisë së mëparshme janë vrarë që nga rënia e Sadamit.

Në një tjetër zhvillim, administratori i lartë civil amerikan për Irakun konfirmoi një njoftim të shtypit se autokolona e tij ishte objekt i një shpërthimi dhe i zjarrit të armëve të lehta më 6 dhjetor, ditën kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes vizitoi Bagdatin.

Paul Bremer u tha gazetarëve sot në Basra se ai nuk u plagos nga sulmi, i cili ndodhi kur ai po kthehej nga aeroporti i Bagdatit. Zyrtarët amerikanë thanë se nuk kanë prova se zoti Bremer ishte objekti specifik i sulmit.

//rd//

XS
SM
MD
LG