Lidhje

Kandidati demokrat për president Joseph Lieberman - 2003-12-29


Nëntë kandidatë po përpiqen të sigurojnë emërimin e Partisë Demokrate për të hyrë në garë kundër Presidentit republikan George Bush. Njëri prej tyre është Senatori i shtetit Connecticut Joseph Lieberman.

Kur kandidatët demokratë për President mblidhen së bashku, është e vështirë t’i shohësh të gjithë menjëherë, ose të mbash mend se cilët janë. Një gjë e tillë mund të jetë një plus për kandidatët emri i të cilëve nuk është i panjohur. “Secili nga ne të nëntë do që të jetë komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane dhe të mbrojë sigurinë e këtij vendi”.

Një nga kandidatët më të njohur është senatori i shtetit Connecticut, Joseph Lieberman. Në zgjedhjet e vitit 2000, senatori Lieberman kandidoi për postin e nënpresidentit në krah të kandidatit për president Al Gore. Pas njërës nga fushatat më të ndjekura në historinë e Shteteve të Bashkuara, demokratët humbën me një diferencë të vogël votash.

Këtë vit Senatori Lieberman radhitet pas disa kandidatëve të tjerë. Larry Sabato i Qendrës për Politikën në Universitetin e Virginias mendon se e di arsyen. “Ai duhet të ishte në krye në këtë garë. Pse nuk ndodhi kështu? Ai sillet shumë butë dhe një gjë e tillë nuk i shkon për shkat ndjenjës së zemërimit që kanë demokratët ndaj George Bushit”, thotë ai.

Por ata që protestojnë kundër luftës dhe analistët thonë se Joe Lieberman është më i ashpri ndër kandidatët demokratë.

“Unë e përkrah me forcë një ushtri të fuqishme dhe po ashtu përkrah me forcë veteranët e luftës. Unë e mbështeta Luftën e Gjirit dhe luftën kundër Saddamit. Populli amerikan do një udhëheqës për të cilin të votojnë në vitin 2004, që t’i mbrojë ata në një botë të rrezikshme. Thjesht krahasoni përvojën dhe qëndrimet e mia me ato të Guvernatorit Dean”, thote zoti Lieberman.

Ish-guvernatori i Vermontit Howard Dean, që para një viti ishte praktikisht një i panjohur, i ka dhënë energji krahut liberal të Partisë Demokrate duke mbajtur një qëndrim të flaktë kundër luftës. Por për të fituar zgjedhjet demokratëve u duhen gjithashtu votat e të moderuarve të partisë së tyre, si edhe të disa republikanëve. Një gjë e tillë ngre një pyetje, thotë Larry Haas, drejtori i komunikimeve për ish-presidentin Al Gore. “A na duhet demokrati më i pastër, apo ai që në thelb mund të tërheqë më shumë vota?”

Në fund të fundit do të jenë votuesit demokratë që do t’i përgjigjen kësaj pyetjeje dhe do të vendosin fatin e fushatës së Senatorit Lieberman.

“Unë jam kandidati me përvojën dhe njohjen më të gjerë për ushtrinë dhe politikën e jashtme”.

Megjithë numrin e madh të çështjeve të politikës së jashtme, shumë amerikanë kanë prirjen të votojnë duke marrë për bazë interesat e brendshme.

“Dhe gjithë problemi është tek vendet e punës. Gjatë këtyre dy viteve e gjysmë, ekonomia jonë ka humbur me shpejtësi vende pune”.

Në një udhëtim në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara, senatori u angazhua të përmirësojë jetesën për punëtorët, nëse zgjidhet President. Por senatorit Lieberman i duhet përkrahja e sindikatave të fuqishme të punëtorëve që po mbështesin kandijdatë të tjerë.

Vëzhguesit e zgjedhjeve që po peshojnë sesa shanse ka Joe Lieberman thonë se një problem i vjetër, një problem i ri dhe një ngjarje politike mund të sjellin ndryshime për fushatën e Senatorit Lieberman. Problemi i vjetër është personaliteti i tij.

Problemi i ri është mbështetja surprizë e ish-zëvendës presidenti Al Gore për zotin Howard Dean.

Megjithatë kapja e Saddam Husseinit mund ta zbutë pak tensionin ndaj senatorit Lieberman, duke e ftohur disi lëvizjen kundër luftës. Megjithëse Senatori Lieberman nuk duket të ketë shumë shanse për t’u bërë kandidati i demokratëve, analisti politik Larry Sabato paralajmëron se është e rrezikshme të bëhen parashikime për të ardhmen.

Ndërkohë që fushatat e të gjithë kandidatëve po fitojnë ritëm, Prefesor Sabato thotë se gjatë rrugës mund të dalin të papritura të reja.

XS
SM
MD
LG