Drejtoria e policisë së Qarkut të Shkodrës njoftoi arrestimin e një punonjësi të policisë së komisariatit të rrethit të Pukës i cili akuzohet si bashkëpuntor në lidhje me peng-marrjen rreth një viti më parë të një shtetasi maqedonas me kombësi shqiptare. Në lidhje me këtë ngjarje deri tani janë arrestuar 4 persona, dy prej të cilëve punonjës të policisë. Kohët e fundit kontrolli i brendshem i policisë shqiptare po heton në disa rrethe veriore lidhur me përfshirjen e disa punonjësve të policisë në vepra kriminale. Polici Tonin Gjini akuzohet për bashkëpunim në pengmarrje dhe moskallëzim të krimit. Polici i arrestuar është transferuar në qelitë e drejtërisë së policisë së Qarkut të Shkodrës ku po merret në pyetje nga ekspertë të policisë dhe prokurorisë shqiptare. Ai është i dyti punonjës policie që është arrestuar për marrjen peng me qëllime përfitimi të shtetasit maqedonas me kombësi shqiptare Irfan Idrizi. Dy javë më parë në Kukës u arrestua një oficer i policisë gjyqësore. Megjithë hetimet mbi këtë çështje ende nuk dihet fati i pengut, të rrëmbyer rreth 1 vit më parë në Kukës.
//ad//